Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë për një rezolutë të re që bën thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm” në Gaza, një rezolutë e kërcënuar nga vetoja e Shteteve të Bashkuara, e treta që nga fillimi i luftës midis aleatit të saj izraelit dhe Hamasit.
Draft-rezoluta e përgatitur nga Algjeria “kërkon armëpushim të menjëhershëm humanitar, i cili duhet të respektohet nga të gjitha palët”.
Rezoluta kundërshton “zhvendosjen e detyruar të popullatës civile palestineze”, ndërsa Izraeli ka folur për një evakuim të civilëve përpara një ofensive tokësore në Rafah, ku 1.4 milionë njerëz janë grumbulluar në Rripin jugor të Gazës.
Dhe përmes kësaj rezolute kërkohet lirimi i të gjithë pengjeve.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë rezolutën algjeriane të papranueshme, duke kërcënuar me veto.
SHBA beson se rezoluta mund të rrezikojë negociatat delikate diplomatike për të garantuar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
“Ne nuk mendojmë se kjo rezolutë do të përmirësonte situatën në terren, dhe kështu nëse kjo rezolutë hidhet në votim, ajo nuk do të kalojë,” përsëriti zëvendës ambasadori i SHBA në Kombet e Bashkuara Robert Ëood.
Kështu, pas refuzimit të rezolutës algjeriane, SHBA ka publikuar një rezolutë alternative që bën thirrje për një armëpushim të përkohshëm” sa më shpejt të jetë e mundur në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve të kapur nga Hamasi më 7 tetor dhe heqjen e të gjitha kufizimeve në aksesin e ndihmës humanitare”.
Projekt-rezoluta amerikane të cilën e ka siguruar agjencia Associated Press kundërshton një ofensivë të trupave tokësore izraelite në Rafah.
“Ajo do të kishte ndikime serioze për paqen dhe sigurinë rajonale dhe nuk duhet të vazhdojë nën rrethanat aktuale”.
Uashingtoni e kishte refuzuar gjithmonë termin “armëpushim” në rezolutat e OKB-së.
Është e paqartë se kur ose nëse drafti do të hidhet në votim në Këshill. Për t’u miratuar, një rezolutë e Këshillit të Sigurimit kërkon 9 vota pro dhe asnjë veto nga 5 anëtarët e përhershëm: SHBA, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina.
Këshilli i Sigurimit pritet të votojë të martën në mëngjes për projekt-rezolutën e mbështetur nga vendet arabe, të propozuar nga Algjeria, e cila përfaqëson 22 vendet arabe në organin më të fuqishëm të OKB-së.
/abcnews.al