KURBIN- Zëvendësdrejtori i Krimeve në Lezhë, Gentian Berberi, ka folur për mediat për rrethanat dhe dinamikën e krimit,që tronditi mëngjesin e kësaj të shtune Kurbinin.
Ai tha se nga të dhënat e deritanishme, shënjestra e atentatit rezulton të jetë Ardian Gjeloshi, pronari i firmës së inerteve dhe jo ekonomisti që humbi jetën. Ai theksoi se autorët kanë qëlluar me armë zjarri, të llojit automatik.
Sipas tij, pistat kryesore, të cilat po hetohen janë konfliktet dhe mosmarrëveshjet që mund të ketë pasur pronari i firmës së inerteve. Më tej Berberi tha se Gjeloshi ndodhet në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.
“Jemi në veprimet e para për sqarimin e rrethanave. Dyshohet paraprakisht që është qëlluar me armë zjarri, automatik. Ka të dhëna për lëvizjen e autorëve me mjete. Po hetojmë të gjithë konfliktet dhe mosmarrëveshjet që ka personi që ka mbetur i plagosur. Objektivi i atentatit është personi, i cili ka mbetur i plagosur. Fatmirësisht i plagosuri ndodhet në gjendje të mirë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, tha ai në një komunikim me gazetarët./ n.m.abcnews.al