Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mbajti sot mbledhjen e radhës në Paris ku u diskutuan çështje të ndryshme në lidhje me futbollin europian.
Në këtë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe Zv.Presidenti i Uefa-s, Armand Duka, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s u miratuan disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me strategjinë e UEFA-s 2024-30 “Të Bashkuar për Sukses”.
Strategjia ofron një drejtim dhe udhërrëfyes të qartë për të udhëhequr si UEFA-n ashtu edhe komunitetin më të gjerë evropian të futbollit dhe synon të fuqizojë rolin e futbollit në çdo komunitet në të gjithë Evropën, duke ruajtur lidhjen integrale midis futbollit bazë dhe garave elitare. Ai bazohet në 7 vlera kryesore: Respekti, Barazia, Drejtësia, Hapja, Uniteti, Integriteti dhe Përsosmëria.
U miratua edhe sistemi i detajuar i shpërndarjes së të ardhurave në kompeticionet e UEFA-s për djem 2024-2027.
Gjithashtu KE-ja miratoi edhe datën dhe vendin se ku do të mbahet Kongresi i 49-të i zakonshëm i UEFA-s që do të zhvillojë punimet e radhës në Beograd më 3 prill 2025.
U vendos edhe data dhe vendi për mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që do të mbahet në Dublin më 22 maj 2024. /FSHF