Analisti Ergys Mërtiri thotë se Gazment Bardhi po përpiqet që të marrë drejtimin e Foltores së Sali Berishës.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Mërtiri u shpreh se Bardhi po bën një lojë me dy porta dhe se atij i duhet Berisha, pasi individualisht nuk ka vota, por i duhet edhe SHBA që të ketë mbështetje politike.
Sipas Mërtirit, duke ndenjur poshtë ballkonit të Sali Berishës, nuk mund të luftohet mazhoranca.
“Më duket se po bëhet një lojë me disa faktorë. Nga njëra anë, faktori amerikan kërkon që të tërheqë çdo faktor politik në krah, kundër Berishës. Nga krahu tjetër pastaj, është Berisha që kërkon këta faktorët ndërmjetës t’i tërheqë nga kampi i vet. Ndërkohë, Bardhi dhe të vetët, përpiqen të luajnë në mes, duke u përpjekur të navigojnë mes dy graviteteve, të luajnë me dy porta. Nga njëra anë, Bardhi kërkon mbështetjen e SHBA, e cila kërkon t’i heqë zotit Berisha çdo lloj paterice që e mban atë në lojë, nga ana tjetër, është Berisha i cili kërkon dhe ka nevojë për Bardhin, sepse pa Bardhin, ai rrëzohet totalisht, nuk mund të mbijetojë dot. Nga ana tjetër, Bardhi ka nevojë për Berishën, sepse Bardhi duke mos pasur vetë vota, nuk ka garanci që në listat e mundshme për kandidim në vitin 2025, ai do të mund të jetë deputet. I duhet Berisha për të qenë deputet, por i duhen edhe amerikanët sepse pa mbështetjen e tyre nuk ka mbështetje politike.
Zoti Bardhi po përpiqet që t’jua hedhë palëve, por mendoj se nuk do t’jua hedhë as amerikanëve, as Berishës, nuk janë naivë. Duke qenë se zoti Berisha është i mbaruar politikisht, Berisha ka mbetur në varësi nga të zotit Bardhi për të pasur ndikim në parlament, nga ky aspekt mendoj se zoti Bardhi po përpiqet të marrë drejtimin e Foltores. Mendon se do t’u thotë amerikanëve, unë e kam Foltoren dhe nuk jam me zotin Berisha. Nuk shoh asnjë logjikë që amerikanët të mbështesin dikë që mbështet armiqtë e amerikanëve. Shoh që zoti Bardhi po përpiqet të luajë, por nëse nuk ke vota individualisht, nuk ke se çfarë bën.
Poshtë ballkonit nuk ka luftë kundër Ramës, por mbrojtje kundër Berishës. Nuk luftohet Rama poshtë ballkonit të Berishës. Rama luftohet në institucione. Kjo po më duket lojë, alibi, e cila nuk qëndron. Bardhi, Berisha, nuk kanë hall të luftojë kundër Ramës, por është një luftë kundër llojit”, theksoi ai./abcnews.al