Kompania turke e industrisë së mbrojtjes ‘Baykar’ ka filluar ndërtimin e një fabrike pranë Kievit që do të punësojë rreth 500 punonjës dhe do të prodhojë modelet e saj të dronëve TB2 ose TB3, tha shefi ekzekutiv i kompanisë për Reuters.
Dronët ‘Bayraktar’ të prodhimit turk kanë fituar vëmendjen globale pasi u përdorën nga ushtria ukrainase në operacionet e saj kundër pushtuesve rusë, duke shkatërruar tanke dhe sisteme artilerie.
‘Baykar’ tha se ka nënshkruar marrëveshje eksporti për dronin e saj TB2 me 30 vende. Këtu përfshihen Ukraina, Etiopia, Libia dhe Azerbajxhani që nga viti 2018, sipas institutit SIPRI.
“Fabrika jonë po ndërtohet … na duhen rreth 12 muaj për të përfunduar ndërtimin dhe më pas do të vazhdojmë duke vendosur makineri, pajisje dhe strukturë organizative”, tha CEO i Baykar Haluk Bayraktar. “Fabrika në Ukrainë është një nga më të mëdhatë (të kompanisë), ne planifikojmë të punësojmë rreth 500 njerëz”.
Bayraktar vuri në dukje se prodhimi vjetor do të jetë gjithsej rreth 120 dronë, por theksoi se nuk është ende e qartë nëse prodhimi në fabrikën ukrainase do të fokusohet në modelin TB2 ose TB3.
I pyetur nëse çështjet e sigurisë lidhur me luftën në vazhdim janë një shqetësim për uzinën, Bayraktar vuri në dukje se planet janë “në lëvizje të plotë” dhe se “asgjë” nuk mund t’i ndalojë ato.
Ai shtoi se kompania planifikoi të dyfishonte prodhimin vendas të Akinci këtë vit, i cili ishte 36 dronë në vitin 2023, ndërsa prodhimi i TB2 do të mbetet i pandryshuar në 230 dronë./abcnews.al