Vuçiç informon Kinën për “situatën në Kosovë”

schedule16:34 - 6 Shkurt, 2024

schedule 16:34 - 6 Shkurt, 2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçështë takuar me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, të cilit i ka dorëzuar “një letër sa i përket situatës në Kosovë”.

Kështu u tha në një postim të publikuar në llogarinë e presidentit serb në rrjetin social Instagram, shkruan REL.

Letra i është adresuar udhëheqësit kinez, Xi Jinping, dhe përveç informimit për situatën në Kosovë, letra u dërgua “me rastin e thellimit të shpejtë të raporteve tona dypalëshe”, shkroi Vuçiç në Instagram.

“E falënderova ambasadorin Li Ming për reagimin e fuqishëm dhe pa ekuivok të Ministrisë së Punëve të jashtme të Republikës Popullore të Kinës sa u përket lëvizjeve të fundit të pamatura të Prishtinës, që qartazi janë të drejtuara kundër popullit serb në ‘Kosovë”, tha ai.

Kina, së bashku me Rusinë – dy shtete aleate të Serbisë – janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Që të dy këto shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!