Akademitë dhe marketingu, FSHF fushatë takimesh me klubet

schedule14:48 - 25 Tetor, 2019

schedule 14:48 - 25 Tetor, 2019

Procesi i Licencimit për sezonin 2020-2021 ka nisur. FSHF, sipas planit të bërë që në takimin që presidenti Armand Duka bëri me presidentët e klubeve, ka nisur takimet me drejtuesit e klubeve, të Superiores dhe të Kategorisë së Parë. Veç takimeve, më pas do të ketë edhe trajneri dhe seminare që do të organizohen nga qeveria e futbollit shqiptar. Klubet janë vënë në dijeni për rëndësinë e tyre.

Që prej ditës së martë, 29 tetor, do të ketë trajneri në lidhje me marketingun, që është një hallkë e rëndësishme dhe shikohet si elementi kryesor për të gjeneruar të ardhura për klubet e futbollit. Synimi është ndërtimi i një strukture financiare që do të garantojë qëndrueshmëri afatgjatë. Në të do trajtohen elementë të tillë si e drejta televizive dhe shitja e tyre, sponsorizimet dhe specifikat përkatëse, si dhe shitja e biletave.

Duke pasur parasysh edhe paketën e re ligjore që pritet të miratohet, ky trajnim merr një rëndësi të madhe. Gazmend Malo, Drejtor i Marketingut, dhe Andi Verçani, Drejtor i PR, do ta kryesojnë këtë trajnim të përfaqësuesve të klubeve.

Në këtë seminar janë të ftuar Përgjegjësit e marketingut të çdo klubi, oficerët e Mediave dhe Manaxherët e Përgjithshëm të klubeve të Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe Akademive kryesore të futbollit në vend.

Trajneri tjetër është në lidhje me akademitë dhe do të bëhet nga Drejtori Teknik i Departamentit të Futbollit në FSHF, Dzemal Mustedanagic. Më 1 nëntor ai do të zhvillojë një takim më të gjithë Drejtuesit Teknik te Klubeve dhe akademive. Në këtë takim do të jepen informacione mbi organizimin e akademive, strutkturat që duhen dhe gjithçka tjetër.

Cikli i trajnimeve do të vijojë me anën sportive, duke u fokusuar në mënyrën e stërvitjes së ekipeve të moshave. Sektori i Edukimit në FSHF do të organizojë 3 trajnime të ndryshme në ambientet e Qendrës Sportive Kamzë. Sipas grupmoshave, trajnimet për grupmoshën U7-U11 do të zhvillohen në datën 4 nëntor 2019, për U12-U13 në datë 18 nëntor dhe për U14-U19 në datën 25 nëntor.

Në të ardhmen do të ketë trajnime në lidhje me Mjekësinë Sportive, Marrëdhëniet Publike, Ekspertizën Ligjore dhe Ekspertizën Financiare. Të gjitha realizohen me qëllim që klubet të jenë gati në momentin e Licencimit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!