Kriza e PD, si zgjidhet? Minxhozi: Amerikanët kanë folur hapur me Bardhin, tani varet mënyra se si luan në Tiranë

schedule19:36 - 2 Shkurt, 2024

schedule 19:36 - 2 Shkurt, 2024

TIRANË- Shqipëria prej kohësh është përballur me sulme kibernetike, ndërsa përgjegjësinë e ka marrë hakerat “Homeland Justice”. Një ditë më parë INSTAT ra pre e sulmit, por institucioni me një reagim publik tha se hakerat nuk kanë arritur dot të marrin të dhënat e Censit për regjistrimin e popullsisë.

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në ABC News, tha se pista më e besueshme është ajo që sulmet kanë si burim Iranin. Sipas tij, kjo vjen si kundërpërgjigje për shkak se Shqipëria mban në kampin e Manzës grupin e muxhahedinëve.

“Një pistë e besueshme është Irani, e njohur tashmë për shkak të kampit të Manzëz ku ne kemi futur  opozitën iraniane. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq interesash. Bota është bërë një fshat i vogël dhe sa i përket teknologjisë, ajo është e kapshme nga çdo cep i mundshëm”, theksoi analisti Skënder Minxhozi.

Gjatë intervistës, Minxhozi analizoi situatën në Partinë Demokratike dhe përplasjen mes tre fraksioneve, të cilat në vend të bashkimit dhe ecjes, kanë zgjedhur rrugën e sulmit dhe kritikave për njëra tjetrën.

Ai thotë se PD nuk mund të bashkohet pa tejkaluar burimin e konfliktit, që janë Basha dhe Berisha.

“As ata që kanë 400 mijë vota as ata që kanë stemën, nuk do jenë të prirur për të hapur rrugët që aty të vijë një i tretë. Nëse kjo PD kërkon bashkim dhe jo një ndarje, që do ishte një fund për ta, ky bashkim vjen duke kaluar binomin dhe origjinën e krizës. Dihet shkuar në shtatorin e 2021, dhe të tejkalohet kjo krizë. Detyra e Bardhit dhe dyshen Berisha dhe Basha nëse kanë vullnet për të gjetur zgjidhje, do jetë shumë e vështirë. Amerikanët kanë folur  hapur me Bardhin, por mbetet të shihet si do sillet në Tiranë”,  tha ai.

Ai shtoi se grupimi i deputetëve që janë rreth Bardhit, duhet të gjejë një zgjidhje, e cila duhet të kalojë dy ekstremet konfliktuale, krahun e Berishës dhe Bashës. Sipas tij, kjo do të ishte një zgjidhje afatgjatë për PD, pasi çdo skenar tjetër, do ta thellonte më tej lëngatën e PD.

“Ai ka shumëçka në dorë në këtë situatë fluide. Ka ardhur koha që Bardhi dhe të tjerët si protagonistë, të asaj që quhet zona e mesit në PD, kanë detyrën e vështirë, por të domosdoshmes dhe urgjente që të gjejnë një zgjidhje përtej dy grupimeve nëse do duhet të kishte një zgjidhje afatgjatë dhe çdo gjë tjetër do ta çonte lëngatën e PD më tej”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al