TIRANË- Kryeministri Edi Rama, kërkoi digjitalizimin e sistemit bankar dhe uljen e parave cash në qarkullim, proces që sipas të cilit, duhet të udhëhiqet nga Banka Qendrore.
Eksperti për Çështjet e Sigurisë Kombëtare Arjan Dyrmishi, i ftuar në “Real Story” tha se bankat kanë frikë t’i hyjnë këtij realiteti dhe e gjitha lidhet me mungesën e theksuar të besimit.
Ai shtoi se bankat duhet t’i kishin hyrë kësaj pune dhe faktor përcaktues duhet të ishte konkurrenca mes sektorit.
“Duhet kuptuar se përse rezistojnë bankat. Nuk e kam shumë të qartë, sepse nga sa është diskutuar nuk del thelbi i kontradiktës. Bankat, që janë sektor privat, sepse kanë rregullat e veta, kanë rezistencat e tyre. Një diskutim duhet të paraprihet nga analiza e faktorëve. Nuk kuptoj se cilat janë arsyet. Kjo është e sigurt, se kjo është çështje besimi. Para se të vendoset do duhet të krijojnë kushte, që bankat të hynin vetë, të integroheshin vetë përmes konkurrencës dhe përmes incentivave”, tha eksperti i sigurisë kombëtare.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, tha se edhe brenda bankave të nivelit të dytë ka pasur disa “mëkatarë”, që sipas tij me veprimet e tyre kanë ndikuar që Shqipëria të qëndronte për vite me radhë në listën gri.
“Arsye pse kemi qenë në listën gri gjithë këtyre viteve, është se ka mëkatarë edhe nga personat brenda bankave të nivelit të dytë. Ka lekë që qarkullojnë në formë informale”, shtoi ai/abcnews.al