Vllaznia i ka befasuar të gjithë me paraqitjet e deritanishme, ndërkohë që edhe kapiteni Gilman Lika po bën një sezon të mirë në aspektin personal. Mesfushori shkodran është një prej të ftuarve në emisionin “Pressing” në ABC News dhe flet në lidhje me rivalët.
I ngacmuar nga moderatori Gerti Çarçani, në lidhje me skuadrën më të fortë të këtij sezoni, ai shprehet se në emra janë më lart Kukësi dhe Tirana, por Partizani e bën diferencën me grupin dhe mënyrën se si funksionon si klub.
“Partizani është një nga dy ekipet që na kanë mundur në Shkodër. Kanë grupin e mirë dhe lojtarët e stolit kanë një nivel me ata të formacionit. Janë pretendentët kryesorë për titull. Kukësi dhe Tirana kanë elementë cilësorë, por ata janë të parët prej grupit dhe prej mënyrës se si funksionojnë si klub, që janë më afër profesionalizmit”./ abcnews.al


