Trajneri i njohur, Sulejman Starova, është i ftuar në studiot e ABC News, në emisionin “Pressing”. Në fjalën e tij, trajneri tha: “Partizani bëri një fund të fazës së parë shumë të mirë dhe sot mori kreun e renditjes me meritë. Surprizat janë skuadrat në vend të dytë e të tretë (Bylisi&Vllaznia).
PARTIZANI – “Partizani sigurisht që kishte një ngarkesë psikologjike ndryshe nga tjerët. Objektivat e mëdha, ia shtojnë ngarkesën. Disa skuadra të tjera kanë pasur më pak presion. Partizani e filloi keq, bëri disa afrime. Një skuadër kampione që mori shumë lojtarë, edhe trajner të ri. Polemikat i shërbyen për mirë Partizanit, sepse konkurrenca bën të veten.
Trajneri ka bërë ndonjë zgjedhje që nuk është pëlqyer, por specialistët e vërtetë e vlerësonin. Partizani ka mundësinë të marrë tre fitore radhazi. Ka pësuar 7 gola, nuk është ende mbrojtja më e mirë. Bylis ka pësuar 5 dhe ka shënuar 15, ndërsa Partizani ka shënuar vetëm 12. Gjithsesi, tregon ekuilibër. Me tre transferta të Tiranës dhe tre të Partizanit, me logjikë, këtu është momenti për t’u shkëputur.
Tani trajneri nuk është më i ri, janë ambientuar të gjithë në grup. Trajneri kishte bindjet e veta, provoi disa skema, është e drejtë e tija. Prurjet relativisht të mëdha ia japin mundësinë të bëjë zgjedhje të ndryshme. Do të luftojë përsëri për të marrë kampionatin”./abcnews.al