Tirana mori sot zyrtarisht Presidencën e Rrjetit më të madh të qyteteve të Ballkani, B-40. Në samitin e mbajtur në kryeqytet, ku morën pjesë kryetarë bashkie dhe delegacione nga 54 qytete të Ballkanit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo është koha për bashkëpunim si kurrë më parë. Ai tha se është krenar për Tiranën, e cila vitet e fundit ka mbajtur tituj të rëndësishëm si “Kryeqytetit Evropian të Rinisë”, “Qytetit Europian i Sportit”, por ishte edhe mikpritëse e Procesit të Berlinit, një ngjarje politike e nivelit ndërkombëtar, si dhe u shpreh entuziast që Tirana do të mbajë titullin si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”.
“Ne e hapim kanat zemrën për mikun dhe për të gjithë miqtë që janë këtu sot, e kemi zemrën të mbushur plot. Mikpritja nuk është një rrugë me një drejtim, është një rrugë vajtje-ardhje, është marrje dhe dhënie. Besoj se sot jemi në vendin e duhur ku guri i qoshes është pikërisht bashkëpunimi, marrja dhe dhënia me njëri-tjetrin. Jemi me zemrën e hapur për miq si ju, gati t’ju presim, t’ju japim edhe ne pjesën tonë më të mirë të kulturës e mikpritjes sonë dhe është koha për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes nesh si kurrë më parë”, tha Veliaj.
Entuziast për faktin se Tirana ka Presidencën e B40 këtë vit, ai vuri në dukje transformimin e jashtëzakonshëm të kryeqytetit shqiptar, jo vetëm për arkitekturë dhe teknologji, por edhe si një qytet europian. “Më vjen mirë që Frederica është me ne sot, rektorja e Kolegjit të Evropës, i cili sapo ka hapur aplikimet për Kampusin e Tiranës, dhe siç do ju thotë edhe ajo vetë, Tirana është kthyer në një histori suksesi, ende pa nisur kampusi, ku kemi mbi 200 aplikime nga mbi 50 vende të ndryshme të Evropës. Një mundësi e shkëlqyer që edhe bashkitë tona ta shfrytëzojnë dhe do kemi ndoshta disa nga stafet tuaja të kualifikuara që marrin një formim akademik më plotësues për të qenë ata ‘eurokratët’ që do përgatisin bashkitë tona për më shumë integrim e bashkëpunim. Në vitin 2025 Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe kultura është ndoshta i vetmi fill i padukshëm që i lidh kombet aty ku politika ndoshta i ndan, ku ndoshta dallimet etnike i veçojnë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku propozoi gjithashtu, që të ketë një fond solidariteti për të gjitha bashkitë e rajonit tonë në raste fatkeqësish. “Në Presidencën e Tiranës, ne duam të propozojmë një fond solidariteti për të gjitha bashkitë e rajonit tonë. Bashkia e Tiranës e ka bërë rregullisht këtë me qytetet e rajonit tonë. Kishim përmbytjet në Tetovë, po ashtu në Kosovë, tërmetin në Zagreb, zjarret në Athinë. Do të donim të mos ishim vetëm, dhe të mos bëja me një bashki, ose secila bashki veç e veç. Ndaj, ne duam të propozojmë një fond solidariteti për t’ju gjendur në mënyrë emergjente një prej anëtarëve tanë, i cili ka një nevojë të një fatkeqësie natyrore për fonde që mund t’i mobilizojmë menjëherë dhe mund të jetë efektive në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur”, tha Veliaj./abcnews.al