Një grup nga komuniteti shqiptar i Uashingtonit ishte dje në Bazilikën e madhe katolike të kryeqytetit për të marrë pjesë në një meshë në gjuhën shqipe.
Kjo bazilikë, është Tempulli më i madh katolik në kontinentin amerikan dhe një ndër dhjetë më të mëdhenjtë e botës. Bazilika përmban edhe skulptura, basoreliefe dhe portrete të shenjtores shqiptare Nënë Tereza, që gjenden edhe në njërën prej kupolave të saj më të mëdha.
Një prej kapelave të bazilikës përmban mes të tjerash kopjen e ikonës origjinale të kishës së vjetër në Shkodër, të njohur si Zoja e Shkodrës. Mesha në gjuhën shqipe u dha nga famulltari i kishës së Laçit, ati françeskan Mikel Pllumaj. Ndërtimi i bazilikës së Uashingtonit, e cila vizitohet nga rreth 1 milion njerëz në vit, filloi rreth një shekull më parë.
Ajo shquhet për arkitekturën e veçantë dhe veprat e shumta të artit dhe është një destinacion i rëndësishëm për njerëzit nga e gjithë Amerika dhe bota që vizitojnë kryeqytetin amerikan./VOA