Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga Shkodra, deklaroi se në këtë qytet ka problematika që lidhen me policinë, kontrollin e territorit dhe fenomeneve që lidhen me informalitatin dhe krimin.
Balla u shpreh se 247 persona të cilët janë shpallur në kërkim, fshihen në Shkodër.
Sipas tij, ka mbaruar koha kur në Shkodër kishte histori të fortësh. Balla shtoi se për kanabisin, policia ka pasur rezultate të shkëlqyera.
“Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me policinë, kontrolli i territorit dhe lufta ndaj fenomeneve që lidhen me informalitetin dhe krimin. Nga 300 mijë lëndë narkotike të asgjesuara, 200 mijë u kultivuan në Shkodër. Duam një Shkodër të sigurtë, ka moszbulim krimesh. Janë 247 persona në kërkim që vijojnë të fshihen në Shkodër. Ka mbaruar koha që Shkodra kishte histori të fortësh, nuk ka më lagje ku policia nuk mund të hyjë dhe nuk mund te ushtronin funksionin e tyre. Misioni ynë është marrja fund e bajraqeve, feudeve në Shkodër. Dua që Liqeni i Shkodrës të mos përmendet më për peshkim të paligjshem, dua të jetë vetëm në funksion të turizmit. Shkodra po rilind në ofertën turistike.
Çështja e personave në kërkim është sfidë dhe në Bashkimin Evropian. Po punojmë dhe kemi rezultat të mirë dhe nga DVP Shkodër. Për kanabisin, policia ka pasur rezultate të shkëlqyera, nuk mjaftohemi vetëm me zbulimin e parcelës, por kush është grupi prapa tyre. Viti 2024 do rrisë goditjen. Ne nuk do merremi vetëm me ngjarjet e 2023, por me ngjarjet që nga 1992, pasi këto ngjarje të pa zbuluara janë burim për ngjarje të reja. Procesi i vetingut në polici po ecën dhe po jep rezultate. Procesin nuk mund ta komentoj pasi është institucion i pavarur”, theksoi ai./abcnews.al