Meta: Votimi kundër SHBA, s’e kam menduar kurrë

schedule21:57 - 28 Dhjetor, 2017

schedule 21:57 - 28 Dhjetor, 2017

“Nuk e kisha menduar kurrë që vendi ynë mund të votonte kundër SHBA”. Kështu u shpreh mbrëmjen e së enjtes në një intervistë për Blendi Fevziun, në “Opinion”, Presidenti Ilir Meta duke u ndalur tek qëndrimi i Shqipërisë kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, në Asamblenë e OKB-së.

“Asnjëherë nuk kam menduar personalisht se mund të ndodhte një votim i tillë në një situatë të tillë kur kërkesat kanë qenë publike të bëra dhe nga Presidenti i SHBA-së dhe nga Ambasadorja e SHBA-së në OKB”.

Kreu i shtetit u shpreh se qëndrimet e Shqipërisë për çështje të rëndësishme, duhet të jenë të mirëkonsultuara dhe theksoi se për çështje të rëndësishme duhet konsensus i gjerë.

“Qëndrimet e Shqipërisë për çështje të rëndësishme sidomos në raport me aleatët tanë më të rëndësishëm duhet të jenë mjaft të qëndrueshme, të besueshme dhe të mirëkonsultuara. Pra, duhet të reflektojnë një konsensus madje jo vetëm shtetëror, por edhe një konsensus më të gjerë për arsye sepse kemi çështje të rëndësishme siç është ende çështja e Kosovës, çështjet e shqiptarëve në rajon të cilat na kërkojnë përgjegjshmëri të madhe për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare”.

Më tej Meta tha se Presidenti ka dhe do luajë rol në politikën e jashtme dhe theksoi se do të jetë në mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare.

“Pa dyshim që Presidenti ka dhe Presidenti do ta luajë gjithmonë rol në politikën e jashtme kur kjo gjë është e domosdoshme dhe është në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare”./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!