Egon Velaj është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me 6 muaj burg. Dënimi vjen disa ditë pas emërimit të tij në krye të burgut të Vlorës. Në fakt, Velaj akuzohet për shpërdorim detyre në kohën që ka ushtruar detyrën e drejtorit të Aluiznit.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, më 21 Nëntor të vitit 2018 e shkarkonte nga ai pozicion. Lajmin atë ditë, ministrja e jepte gjatë një konference për mediat si drejtuese e Task Forcës Antikorrupsion.
Shkarkimi vinte pas denoncimeve të ardhura në platformën e bashkëqeverisjes.
“Gjithashtu bazuar në një denoncim të ardhur pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, me objekt denoncimin e legalizimit një shtesë anësore të një pallati shumëkatësh pranë stadiumit “Flamurtari” – Vlorë, grupi i kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion ka kryer gjatë javës së kaluar inspektim administrativ në Drejtorinë Rajonale të Aluizni-t, Vlorë dhe Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Në përfundim të këtij hetimi janë rekomanduar 3 masa disiplinore “Largim nga puna” për: Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Vlorë; Përgjegjësin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë; Specialistin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë”, deklaronte Gjonaj.
Ndërkohë pas shkarkimit, rreth një vit më vonë ministrja e Drejtësisë do ta rikthente sërish në punë Velajn, kësaj here në drejtim të burgut të Vlorës.
Mësohet se përsa i përket dënimit Velaj, ka përfituar nga ligji 59 i Kodit penal dhe ka përfituar dënimin me kusht./abcnews.al