Houthi ka urdhëruar shtetasit amerikanë dhe britanikë që punojnë për OKB-në dhe organizata të tjera humanitare me bazë në kryeqytetin Sanaa që të largohen nga vendi brenda 30 ditëve.
Paralajmërimi vjen pas sulmeve amerikano-britanike gjatë dy javëve të fundit ndaj objektivave ushtarake të lëvizjes shiite në Jemen. Këto sulme erdhën si përgjigje ndaj sulmeve të nisura nga Houthi në anijet tregtare në Detin e Kuq muajt e fundit.
Rebelët, të cilët kontrollojnë pothuajse të gjithë Jemenin verior, i cili ka qenë në luftë për rreth një dekadë, thanë se ata synojnë anijet e destinuara ose që kanë lidhje me Izraelin në një shenjë”solidariteti” me palestinezët në Rripin e Gazës.
Sulmet Houthi kanë detyruar kompanitë ndërkombëtare të transportit detar të ndryshojnë korsitë e transportit detar për tregtinë ndërkombëtare midis Europës dhe Azisë përmes Kepit të Shpresës së Mirë, duke shtuar kohë dhe kosto.
Qeveria amerikane gjithashtu javën e kaluar riktheu lëvizjen shiite, e cilësuar si e afërt me Iranin, në listën e organizatave terroriste të SHBA.
“Ministria. thekson se ju duhet të informoni zyrtarët dhe punonjësit me nënshtetësi amerikane dhe britanike që të përgatiten për t’u larguar nga vendi brenda 30 ditëve ,” shkruhej në letër.
Letra gjithashtu udhëzonte organizatat e huaja që të mos punësojnë shtetas amerikanë dhe britanikë për aktivitetet e organizatave të tyre në Jemen.
Zëdhënësi i Houthi, Mohammed Abdulsalam, konfirmoi vërtetësinë e letrës për Reuters.
/abcnews.al