Suedi/ Pesë persona hynë ilegalisht në ambasadën iraniane në Stokholm

schedule22:52 - 23 Janar, 2024

schedule 22:52 - 23 Janar, 2024

Pesë persona hynë ilegalisht në ambasadën e Iranit në Suedi në periferi të Stokholmit gjatë një proteste këtë pasdite përpara se të drejtoheshin jashtë ambienteve të misionit diplomatik, tha policia suedeze.

“Policia u lajmërua në ambasadën iraniane sepse kishte njerëz jashtë saj dhe për shkak se pesë persona hynë në zonën e ambasadës”, thuhet në deklaratë. Një person është arrestuar si i dyshuar për sulm.

Të gjithë njerëzit u larguan nga vendi, njoftoi një zëdhënëse e policisë për TV4, duke sqaruar se ajo nuk ishte në gjendje të thoshte nëse tubimi para ambasadës kishte marrë leje për t’u zhvilluar.

Pse u përkeqësuan marrëdhëniet Suedi-Iran?

Marrëdhëniet midis Suedisë dhe Iranit u përkeqësuan më tej në dhjetor pasi një gjykatë suedeze e apelit la në fuqi dënimin e përjetshëm të ish-drejtorit të burgut të Iranit, Hamid Nouri, për ekzekutime masive të të burgosurve politikë në vitin 1988. Republika Islamike akuzoi gjykatën suedeze për dënimin e padrejtë të Nouri.

Disa shtetas suedezë po mbahen në Iran, mes tyre edhe diplomati Johan Floderus, i cili punonte për Bashkimin Evropian, i cili doli në gjykatë në dhjetor të akuzuar për komplot me Izraelin, armikun kryesor të Iranit.

Teherani ka përdorur tashmë të burgosurit e huaj si një mjet pazari për të nxjerrë lirimin e shtetasve iranianë jashtë vendit, dhe mediat suedeze kanë raportuar gjithashtu mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!