SHQIPËRI- Ekspertja për ekonominë, Suzana Guxholli, tha se përgjatë 2023, treguesit e kreditimit në Shqipëri kanë qenë të mirë në plan të përgjithshëm. Ajo theksoi se ky trend pritej pasi gjatë pandemisë njerëzit tkurrën investimet dhe konsumin e tyre.
“Po t’i riformohemi zhvillimeve dhe kombëtare dhe ndërkombëtare, por ishte e pritshme, pasi kishim pandeminë. Nga pandemia kemi pasur ulje të konsumit dhe tregu i punës ka pasur një lloj dobësimi. Ulja e konsumit, d.m.th. njerëzit kanë hezituar të shpenzojnë, ndërkohë depozitat, sidomos ato në monedhë të huaj kanë mbetur në vend. Treguesit e kreditimit në 2023 janë të mirë”, tha ajo.
Gjatë intervistës në “Money Report”, ekspertja theksoi se në takimin e Davosit, i cili zhvilloi punimet pak ditë më parë, u vu theksi te nevoja e hartimit të reformave të thella. Sipas saj, apeli i ekspertëve ishte që shtetet duhet të krijojnë struktura ekonomike të shëndetshme, pavarësisht sfidave me të cilat përballen.
Më tej Guxholli shtoi se rritja e kreditimit duhet të vijë në rritje nga viti në vit pasi kështu dëshmohet fakti që bankat kanë më shumë besim te aktorët e tregut.
“Ajo që u theksua në Davos ishte se duhen reforma të mëdha strukturore, në mënyrë që ndryshimet që vijnë nga kriza, zhvillimet digjitale, situata e caktuara politike dhe luftërat të kthehen në një sfidë për ta drejtuar ekonominë në prirjen rritëse. Rritja e kreditimit, duhet parë, që nga viti në vit duhet të vijë në rritje. Ulja e kredive të këqija është një tregues pozitiv”, shtoi ajo.
E pyetur se si do jetë ecuria e kreditimit përgjatë këtij viti, ekspertja e ekonomisë shtoi se tendenca do jetë në rritje, por paralelisht me këtë sugjeroi që duhet të ndërmerren reforma strukturore.
“Nisur nga kreditimi, ai do të vijojë me të njëjtën ritëm, pra pozitiv, dhe shpresojmë ta mbajmë. Nëse shoqërohet në reforma strukturore do çojë në një trend pozitiv të rritjes së ekonomisë, por kjo duhet të shoqërohet nga reformat strukturore”, shtoi ajo./ n.m.abcnews.al