Botërori i Klubeve me 32 ekipe, Tebas: Do të padis FIFA-n

schedule19:45 - 22 Janar, 2024

schedule 19:45 - 22 Janar, 2024

Është një sulm i gjithanshëm nga Javer Tebas. I intervistuar nga “The Guardian”, presidenti i La Liga-s foli për Superligën, FIFA dhe Botërorin për Klube, madje duke njoftuar synimin e tij për të ndërmarrë veprime ligjore kundër organit më të lartë të futbollit.

“Formati me 32 skuadra duhet të ndalet, është prioriteti im ta bëj këtë. Lojtarët kanë në zemër mirëqenien e tyre dhe ky lloj kompeticioni sjell vetëm para për një sërë klubesh, e kompreson kalendarin”, – tha ai, duke iu referuar Botërorit për Klube.
Sa i takon Superligës, mbi të gjithë përplaset me Florentino Perez, të cilin ta përcaktosh si armik të tij është ndoshta shumë, por sigurisht që është dikush me të cilin nuk shkon shumë mirë: “Superliga ka shumë pak shanse për t’u pranuar nga klubet.

Presidenti i Real Madridit? Objektivi i tij është që klubet e mëdha, ato më të pasurat dhe me burimet më të mëdha, të mund të menaxhojnë futbollin në Evropë. Të tjerët janë vetëm vasalë, që duhet të kënaqen me çdo gjë që iu vjen.

Dallimet thelbësore që kam me Florentinon janë dy modele krejtësisht të kundërta të futbollit profesionist, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në Evropë. Nuk ka asnjë kompromis mes nesh, jemi bardhë e zi, nuk kemi zonë gri”.

Tebas, duke folur për Botërorin e Klubeve, nënvizoi se është gati për veprime ligjore, të cilat i përcakton si prioritetin e tij kundër FIFA-s: “Shikoni vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Ajo iu referua Superligës, por është plotësisht i zbatueshëm për vendimet e marra nga FIFA, kur procesi nuk është i saktë dhe ajo që miraton është e dëmshme për ekosistemin e futbollit. Lojtarët kanë në zemër mirëqenien e tyre dhe ky lloj kompeticioni vetëm sa iu sjell para një numri klubesh dhe ngjesh kalendarin”.

Në këtë pikë, Tebas nuk ka ndërmend të tërhiqet, siç e dëshmojnë jo vetëm fjalët e tij, por mbi të gjitha veprimet konkrete të La Liga-s, e cila në dhjetor kishte paralajmëruar se do të “studionte ligjin përkatës, do të ndërmerrte veprime për ta parandaluar Botërorin e Klubene në formatin e ri të shpallur”.

Dhe rreth një javë më parë, sipas asaj që raportoi gazeta “As”, ai e ka bërë tashmë denoncimin në “Tas”. Konflikti lindi në mes të dhjetorit, kur Infantino njoftoi se do të revolucionarizonte Botërorin e Klubeve nga viti 2025, duke e shtuar numrin e ekipeve pjesëmarrëse në 32. Për më tepër, ai propozoi përfshirjen e më shumë ndeshjeve në Kupën e Botës 2026. Dy skenarë që nuk iu pëlqyen kampionateve kombëtare, veçanërisht atij spanjoll, sepse do të thotë kalendar me më shumë ndeshje./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!