Samiti në Shkup mbledh liderët e Ballkanit/ Kovaçevski organizon darkë joformale, të pranishëm Rama e Kurti

schedule19:26 - 21 Janar, 2024

schedule 19:26 - 21 Janar, 2024

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhen sonte në Shkup në kuadër të Samitit që do të mbahet ditën e nesërme me liderët e Ballkanit Perëndimor

Gazetarja Linda Karadaku, nga Shkupi tha për ABC se kreu i qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka organizuar sonte darkën joformale, ku gjithashtu është i pranishëm kryeministri Rama, dhe kryeministri Kurti.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjithashtu pritet të jetë i pranishëm në Samitin që do të mbahet në Shkup.

Në fokus të këtij Samiti do të jetë edhe temat për rajonin, si stabiliteti dhe siguria.

Agjenda zyrtare për Samitin nesër:

Sipas programit, para fillimit të takimit, kryeministri Kovaçevski si dhe pjesëmarrësit zyrtarë do të kenë një deklaratë për media në orën 09:00.

Deklarata për media pritet të kenë edhe Aleksandar Vuçiq, President i Republikës së Serbisë, Edi Rama, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Albin Kurti, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Milojko Spajic, Kryeministër i Qeverisë së Malit të Zi,  Srgjan Amixhiq, Ministër i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës,  Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Xhejms O’Brajan, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Sipas programit, pas fjalëve hyrëse, në orën 09:50 vijon takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor nga rajoni.

Në takimin e liderëve, video – fjalim do të ketë edhe Borjana Krishto, kryesuese e Këshillit të ministrave të Bosnje Hercegovinës.

Në mënyrë plotësuese, në takim do të marrin pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, do të marrin pjesë përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, CEFTA dhe Forumit të Odave të Investimeve të Ballkanit Perëndimor-6,  USAID-i, më pas Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, Qendra për Evropën, Këshilli Atlantik, si dhe disa institucione financiare ndërkombëtare, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore.

Më pas, në orën 12:15 është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!