Dashamirët rusë të qenve po bëjnë çmos të shpëtojnë sa më tepër qen endacakë, pasi autoritetet e shtetit kanë marrë vendim t’i vrasin ata. BBC-ja ka raportuar se 18 qen janë vrarë deri më tani në qytetin Ulan-Ude në Siberi, pranë kufirit me Mongolinë, e të paktën 600 të tjerë deri më tani janë dërguar nëpërmjet trenave në zona të sigurta, ku edhe do të trajtohen.
“Na u kërkua të dërgonim një qen, çfarëdo, pa marrë parasysh se si duket. Qëllimi është i thjeshtë që të shpëtohet një shpirt nga vdekja”, ka deklaruar vullnetarja për mbrojtjen e qenve, Stella Ovsoyan.
Temperaturat në qytetin siberian kanë rënë nën 20 gradë celsius, e shumë njerëz po presin para stacioneve të trenit për t’i ngarkuar qentë. Vullnetarët kanë bërë të ditur se qentë do të vendosen në një karrocë dhe do të dërgohen të sigurt me tren në lokacionin e caktuar. Qentë endacakë janë problem i madh për Rusinë, e më së tepërmi në Buryatia. Autoritetet atje në mënyrë të diskutueshme morën vendim së fundmi që t’i vrasin.
Qyteti Ulan-Ude ka mbi 1 milion banor, por është i njohur edhe për numrin e madh të qenve. Atje, sipas BBC-së, raportohet tepër shpesh për sulme nga qentë endacakë. Asgjësimi i qenve endacakë është praktikë e zakonshme në këtë rajon për vite me radhë, derisa parlamenti rus miratoi një ligj të ri që kërkon që qentë të kapen, sterilizohen, vaksinohen dhe të lirohen.
Kur ligji hyri në fuqi në 2020-n, ai s’u prit mirë në Buryatia, ku banorët frikësoheshin se qentë do të përfundonin sërish në rrugë, do të shtoheshin dhe do t’i sulmonin njerëzit.
Vitin e kaluar, deputetët rusë hodhën poshtë ligjin për ndalimin e vrasjeve dhe lejuan që secili rajon të vendosë vetë se si t’i trajtojë qentë endacakë. Në Buryatia, ky vendim nënkuptoi kthimin në politikën e vjetër, atë të vrasjes së tyre.