Tajvani njofton aktivitetin e parë të madh ushtarak kinez pas zgjedhjeve presidenciale

schedule10:30 - 18 Janar, 2024

schedule 10:30 - 18 Janar, 2024

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se kishte gjurmuar të mërkurën 18 avionë të forcave ajrore kineze që fluturonin rreth ishullit dhe kryenin patrullime të gatishmërisë luftarake në koordinim me luftanijet kineze, aktiviteti i parë ushtarak në shkallë të gjerë pas zgjedhjeve në Tajvan.

Kina, e cila e sheh Tajvanin si territorin e saj, gjatë katër viteve të fundit ka zhvilluar rregullisht manovra me avionë dhe anije luftarake përreth ishullit, ndërsa pretendimet e saj territoriale janë hedhur poshtë vazhdimisht nga qeveria e Tajvanit.

Tajvani zgjodhi të shtunën në postin e presidentit zotin Lai Ching-te, të Partisë Progresive Demokratike në pushtet (DPP). Pekini e ka cilësuar vazhdimisht atë si një separatist të rrezikshëm dhe nxitës të luftës.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se të mërkurën në mbrëmje kishte gjurmuar 18 avionë luftarakë, mes tyre edhe të modelit Su-30, që fluturonin pranë Tajvanit verior dhe qendror dhe në jugperëndim të ishullit.

Njëmbëdhjetë prej këtyre avionëve kaluan linjën pranë ngushticës së Tajvanit dhe në koordinim me anijet luftarake kineze kryen patrullime të përbashkëta gatishmërie, tha ministria.

Kjo pjesë e ngushticës më parë shërbente si një vijë ndarëse jozyrtare mes dy palëve, por tani aeroplanët kinezë fluturojnë rregullisht mbi këtë zonë. Kina thotë se nuk e njeh ekzistencën e vijës ndarëse. Tajvani dërgoi forcat e veta ushtarake për të vëzhguar, njoftoi Taipei./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!