Kryeministri Edi Rama e ka vijuar në rrjetet sociale “debatin” me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me mos hapjen e negociatave. Kësaj here, kreu i qeverisë e ka vendosur përballë kancelares gjermane Angela Merkel.
“Më vjen shumë keq për këtë vendim. Pozicioni i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet. Kur bëjmë premtime patjetër që duhet t’i mbajmë ato. Nuk do t’i kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që kemi bërë prmetime”, citohet kancelarja Merkel, ndërsa në anën tjetër është kreu i opozitës Lulzim Basha sipas të cili vendimi për të mos hapur negociatat është dështim i qeverisë.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i kreut demokrat Lulzim Basha. Ai postoi në Facebook një foto ku shfaqeshin kancelarja Angela Merkel, Emmanuel Macron, Donald Tusk dhe kryeministri italian Giuseppe Conte.
“Ne mbështesim 100% qëndrimet e liderëve të BE. Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Shqipëria meriton më të mirën. Për fat të keq ka një njeri që e pengon këtë rrugë. Ata duan ta pranojnë Shqipërinë, por në mënyrë të përsëritur ata refuzojnë Ramën”, shkruan Basha.
Më herët Rama postoi një foto në faqen e tij zyrtare ku citonte Donal Tusk. Pas kësaj, Basha reagoi në rrjetet sociale, ku iu drejtua kryeministrit Rama se ka dështuar dhe Europa e ka refuzuar.
“Kujt do t’ja hedhësh fajin për dështimin me shëndetësinë? Për ekonominë e shkatërruar?Kujt do t’ja hedhësh fajin për qeverinë tënde të korruptuar? Ka ardhur koha të pranosh përgjegjësitë për dështimet e tua.Është mbushur kupa. Europa të ka refuzuar, dhe shqiptarët do të refuzojnë.
Mjaft me shfajësime personale dhe fajësimin e të tjerëve z. Rama. Të gjithë janë lodhur me justifikimet e tua për dështimet e tua, gjithmonë duke mbrojtur veten, kurrë popullin tënd, asnjëherë gati të pranosh përgjegjësinë tënde. Fakti është, Europa të ka refuzuar. Ti ke dështuar“, shkruante Basha./abcnews.al