Berisha nuk lë Bashën rehat, ftesë për në opozitë/ Bardhi: Të tregojë që nuk është me Ramën. Boçi: Të vijë poshtë te Berisha

schedule15:09 - 9 Janar, 2024

schedule 15:09 - 9 Janar, 2024

Deputetët e bashkuar në Parlament, Gazment Bardhi konfirmon për ABC News se po shkohet drejt një bashkimi real, nën një çati.

 “Jemi duke punuar për të patur një bashkim edhe për sa i përket aksionit të përbashkët politik me seclin prej kolegëve, pavarsisht se cfarë mendojnë për zhvillimet brenda PD”

Lulzim Basha qëndron qetshëm, në këndin e tij të heshtur, por Bardhi mendon që ai mund të dalë prej aty, e të bëjë opozitë, si një ftestë e kusht për bashkim, me të gjithë faktorët e tjerë.

“Në parim cilido që deklarohet në opozitë me regjimin e Edi Ramës dhe cilido që bën betejë me regjimin e Edi Ramës, duhet të jetë I mirëpritur në një formacion të gjerë opozitar, por për këtë do duhet ta ndajë mendjen, në është shtojcë e qeverisë apo opozitar”

Për Lulzim Bashën foli me tone bashkëpunimi edhe Luçiano Boçi, që ka zëvëndësuar konferencat e Sali Berishës në izolim. Ndryshe nga Berisha dhe deklaratat e tij të prera kundër Lulzim Bashës dhe shanseve zero për tu bashkuar, Boçi la një dritare hapur për rikthimin e Lulzim Bashës, në seli.

“Basha është deputet dhe në momentin që Basha do të fillojë të bëjë opozitë, dhe do e dëshmojë këtë me aksion opozitar, me bashkim për PD, ai gjithmonë është i ftuar. I ftojmë të vijnë edhe te pjesa, kemi ftesën publike tek pelegrinazhi që bëjmë çdo natë aty në mbështetje të pluralizmit dhe demokracisë”

Do të shihet nëse Basha do e mbaj fjalën e do të shfaqet në Parlament në këtë sesion të ri, ndërsa deputetët e tjerë do të vijojnë aksionin në Parlament, e njëherësh po përpiqen të gjejnë rrugë dialogu me maxhorancën.

“Unë kam dëshirën që segmente të arsyeshme brenda maxhorancës, që e duan Shqipërinë dhe duan që institucionet në Shqipëri të veprojnë me rregullat dhe kushtetutën e vendit, t’i thërrasin arsyes, dhe të nxisin një tërheqje apo refkektim nga kokëfortësia për të mbyllur derën e opozitës për të ushtruar funksionet e veta”

Këtu Bardhi i drejtoi apel për herë të dytë Presidentit, pas letrës zyrtare, që të ndryshojë faqen konfliktuale mes dy palëve politike.

 “Unë nuk e shoh Presidentin thjesht si një rrogtar që hap dhe mbyll derën e Presidencës. E shoh si shtetar, që në momente të vështira kontribuon jo thjesht  në zgjidhjn e krizës, por kontribuon në ruajtjen e disa vlerave dhe parimeve kushtetuese”..