Malaga nuk fitonte prej 10 javësh dhe renditej në fund të tabelës në La Liga 2. Ekipi ku aktivizohen Keidi Bare dhe Armando Sadiku u rikthye te suksesi përballë Deportivo La Corunës.
Ekipi andaluzian fitoi 0-2 në transfertë dhe gol i dytë u shënua nga Sadiku. Të dy lojtarët e kombëtares zbritën në fushë si titullarë dhe u aktivizuan gjatë gjithë ndeshjes.
Keidi Bare ka dhënë një prononcim për sajtin e Malagës. 22-vjeçari ndihet mirë për suksesin. Mesfushori shpreson që ky rezultat të shënojë kthesën e ekipit, teksa ka një koment edhe për Armando Sadikun.
“Ne luajtëm më mirë se La Coruna dhe kishte ardhur momenti për të fituar. Ia dolëm dhe arritëm të siguronim tre pikët. Humbëm shumë shanse, por ky është futbolli. Ndonjëherë topi futet në rrjetë, e herë të tjera jo. Jemi të lumtur për fitoren. Shpresojmë që kjo të jetë një pikënisje e mirë për të ardhmen.
Fitorja të gëzon dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës kundër Oviedos. Gjithmonë kemi patur gëzim në dhomat e zhveshjes, nuk ndodh vetëm kur fitojmë. Kur fiton ndihesh më i motivuar. Entuziazmi dhe besimi rriten dhe kjo është diçka pozitive.
Sadiku? Ai është një lojtar i mirë dhe goli është i rëndësishëm për të. Në fund ia doli dhe arriti të shënonte“, përfundon mesfushori fierak. /abcnews.al