“Doqja” dhe vëllezërit Duka mbeten në burg, Krimet e Rënda japin vendimin

schedule09:47 - 21 Tetor, 2019

schedule 09:47 - 21 Tetor, 2019

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vlerësuar masën e sigurisë për 8 personat e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko. Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorit duke vendosur masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për anëtarët e grupit kriminal Duka.

8  të dyshuarve për vrasjen e Santiago Malkos, u  është vlerësuar masa e sigurisë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorit, Behar Dibra, për caktimin e masës arrest me burg në mungesë për 8 personat e shpallur në kërkim.

Të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të forcave të policisë Santiago Malko janë anëtarë të grupit kriminal “Duka”. Prokuroria dyshon se këta persona janë larguar jashtë vendit, dhe i ka shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Të dyshuar janë dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka,  Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj, si dhe Fatmir Hyseni, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”.  Gjykata e krimeve të Rënda brenda pak ditëve do të vlerësojë masën edhe për Blendi Tetën, i vetmi i arrestuar  për këtë çështje.

Teta u hetua fillimisht vetëm për mos kallëzim krimi ndërkohë, prokuroria për krime të rënda i ka ndryshuar akuzën. Tata po hetohet për vrasje e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Blendi Teta i ka mohuar fillimisht akuzat dhe faktin që ka lidhje më këtë ngjare por e tradhtuan bisedat telefonike të kryer me bashkëjetuesen ku i rrëfen se mund të akuzohet për vrasje.  Organi i akuzës dyshon se ishte pikërisht Teta ai që ka ndjekur dhe raportuar çdo lëvizje të Malkos.

Personi që ka qëlluar kundrejt ish policit dyshohet të jetë Fatmir Hyseni. Fillimisht dosja u hetua nga Prokuroria e Tiranës, e cila më pas shpalli moskompetencë duke e kaluar tek Krimet e Rënda.

Të shpallurit në kërkim akuzohet për veprat penale vrasje e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve dhe  vjedhje.  Ish-polici u ekzekutua, mbrëmjen e 27 gushtit në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet, pasi ka dalë nga spitali i pediatrisë ku kishte shtruar djalin.

/abcnews.al