Me kombëtaren ende pritet të shpërthejë, por me klubin nuk ka lënë asnjë dyshim.
Ernest Muçi mund të cilësohet si një nga rastet e veçanta në futbollin shqiptar, europian dhe atë botëror, pasi e ka rritur vlerën e kartonit plot 16 herë në 3 vitet e fundit.
Kur u realizua transferimi nga Tirana, në shkurt të 2021, ai kushtonte nga ana profesionale vetëm 525 mijë euro.
Nuk ishte pak, kur mendon se vendi i origjinës ishte Superliga e Shqipërisë, por sulmuesi i talentuar e dinte se ku mund të arrinte.
Pas një përshtatjeje të vështirë, shpesh herë i lënë në stol, ai përfitoi nga ndryshimi i trajnerit tek Legia, për të shpërthyer.
Në tetor të 2021-it, ai e dyfishoi vlerën e kartonit duke arritur në 1 milion euro, por ngjitja e vërtetë erdhi këtë vit.
Në mars, kartoni i Muçit vlente 1.8 milionë euro, në qershor 2.5, në fillim të tetorit 5 dhe në 29 dhjetor arriti në 8 milionë euro.
Vështirë që ndonjë futbollist shqiptar të ketë pasur një përmirësim të tillë, madje këto janë raste të rralla edhe për yjet e nivelit botëror.
Këtë sezon, 22-vjeçari ka luajtur në çdo ndeshje, qoftë edhe për pak minuta, duke qenë i vetmi ndër të gjithë futbollistët e Legias.
Në Superligën e Polonisë ka 4 gola e 1 asist në 19 sfida, ndërsa shkëlqeu në Ligën e Konferencës me 3 gola dhe 1 asist në 6 ndeshje, përfshi dy rrjeta ndaj Aston Vilës angleze.
Me kombëtaren, Muçi ka luajtur 7 herë dhe ka arritur të shënojë dy gola./ h.ll/abcnews.al