Ukraina i është kundërpërgjigjur bombardimeve ruse ditën e djeshme, i cilësuar si sulmi më i madh raketor që nga fillimi i luftës. Kievi ka lëshuar sot dhjetëra raketa në drejtim të Rusisë, me këtë të fundit që tha se i ka shkatërruar të gjitha raketat dhe dronët e Ukrainës.
Mirëpo si pasojë e sulmeve një person ka humbur jetën dhe 4 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kievi e ka përshkruar si bombardimin më të madh me raketa të Rusisë deri më tani, më shumë se 160 njerëz u plagosën dhe 30 humbën jetën ndërsa Rusia goditi qytetet anembanë vendit të premten duke përfshirë kryeqytetin Kiev, Odesa, Dnipro, Kharkiv dhe Lviv.
Në një deklaratë të mëvonshme në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ministria ruse e mbrojtjes tha se 32 dronë ishin rrëzuar gjatë natës në rajonet Bryansk, Oryol, Kursk dhe Moskë.
Guvernatori i rajonit Bryansk, Alexander Bogomaz, tha se dronët ishin rrëzuar, por askush nuk ishte lënduar. Qyteti Belgorod është 80 kilometra në veri të qytetit ukrainas të Kharkiv, i cili u vu nën zjarr të fortë nga forcat ruse të premten në mëngjes si pjesë e sulmeve me rreze të gjerë.
Të premten në mbrëmje, një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënoi në mënyrë dërrmuese fushatën e rinovuar të bombardimeve masive të Rusisë në Ukrainë dhe tha se sulmet duhet të ndalen “menjëherë”.
Vendet duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën thanë se goditja e infrastrukturës civile kishte shkelur rregullat ndërkombëtare të luftës.
“Në vend të paqes, Putini zgjodhi të shënojë këtë sezon festash me një numër të paprecedentë sulmesh me dron dhe raketa”, tha përfaqësuesi i SHBA-ve në OKB, John Kelley.
Rusia tha se mbrojtja ajrore ukrainase ishte fajtore për shkaktimin e dëmeve në ndërtesat civile.
/abcnews.al