Afrika e Jugut ka ngritur një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) duke pretenduar se Izraeli është përfshirë në “akte gjenocidale” në Gaza. Gjykata e OKB-së konfirmoi procedurat në lidhje me shkeljet e pretenduara të detyrimeve të Izraelit sipas Konventës së Gjenocidit.
Izraeli e ka hedhur poshtë me forcë akuzën, duke e quajtur atë “të pabazë”. “Izraeli hedh poshtë me neveri shpifjen e gjakut të përhapur nga Afrika e Jugut”, tha ministria e jashtme.
GJND-ja, e cila ka selinë në Hagë në Holandë, është organi ligjor kryesor i OKB-së. Ajo zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve dhe jep mendime këshillimore për çështjet juridike ndërkombëtare.
Pas aplikimit të saj në GJND, presidenca e Afrikës së Jugut tha në një deklaratë se vendi ishte i detyruar “të parandalonte që të ndodhte gjenocidi”.
“Afrika e Jugut është shumë e shqetësuar me gjendjen e rëndë të civilëve të kapur në sulmet e tanishme izraelite në Rripin e Gazës për shkak të përdorimit pa dallim të forcës dhe largimit me forcë të banorëve.”, thuhet në deklaratë.
Dokumenti prej 84 faqesh thekson se “veprimet dhe mosveprimet e Izraelit” janë “gjenocidale sepse ato synojnë të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të grupit kombëtar, racor dhe etnik palestinez”./abcnews.al