Qindra shqiptarë nuk do të jenë pranë familjeve në ndërrimin e viteve, sepse detyra i thërret. Por ka nga ata që nuk do të jenë thjesht në punë, por në mision.
Janë rreth 300 ushtarë shqiptarë që janë shpërndarë në 8 misione të huaja, nga Iraku, Sudani i Jugut, Egjipti, Letonia, Bullgaria, Bosnja dhe Kosova, ku është edhe prezanca më e madhe. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi një video-konferencë me ta dhe i uroi për festat.
“Ju jeni pjesa më e ekspozuar në angazhimet tona ndërkombëtare. Na bëni krenarë, sepse i jepni një dimension tjetër angazhimit tonë, jo vetëm në mbrojtje e siguri kombëtare, por edhe në eksportin e paqes e sigurisë në mbrojtjen kolektive. Kjo na bën jo vetëm përfitues nga anëtarësia në këtë aleancë të madhe, por edhe kontributorë, ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, me kapacitete modeste, por gjithnjë në rritje dhe të modernizuara”, u shpreh ministri Peleshi.
Peleshi inkurajoi veçanërisht efektivët që shërbejnë në misionin e KFOR në Kosovë, që të kontribuojnë me zell, por edhe me vetëpërmbajtje, në mënyrë që të mos bien preh e provokimeve dhe situatave që mund të krijohen.
“Urojmë që konfliktet e ndezura të shkojnë drejt shuarjes. Duket se do të jetë një konflikt i gjatë në Ukrainë. Shpresojmë që të ketë një adresim sa më të shpejtë në krahun e së mirës, me fitoren e Ukrainës. Urojmë që ky të jetë një vit i mbarë dhe i qetë për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.
Efektivët shqiptarë në misionet paqeruajtëse në botë raportuan se janë të sigurt dhe operacionet po shkojnë sipas planifikimit./abcnews.al