Java e 17-të ka qenë një makth për shumë trajnerë të kampionatit italian të futbollit, Serie A, pasi plot 14 futbollistë kanë mbetur të dëmtuar, një numër ky vërtetë mjaft i lartë për vetëm 20 skuadra.
Gjithçka nisi nga dëmtimi i dyshes së Lazio, Luis Alberto e Ciro Immobile në sfidën ndaj Empoli, për të vijuar me Thorstvedt në Sassuolo-Genoa dhe Dia, Kjaer e Tomori në Salernitana-Milan. Të dëmtuar gjjthashtu fundjavën e kaluar mbetën edhe Beltran i Fiorentinës, Lirola e Baez te Frosinone, Locatelli e Alex Sandro te Juventusi, Ndoye te Bologna dhe Nathan e Lobotka te Napoli.
Natyrisht shumica e shohin shkakun te terrenet e ndeshjeve në Itali, ku shumë stadiume lënë për të dëshiruar, megjithatë drejtohet gishti edhe nga përgatitja atletike. Milani i Piolit është nga më të prekurit nga dëmtimet jo vetëm këtë fundjavë, por në tërësi gjatë sezonit dhe sigurisht që disa pikëpyetje janë hedhur tashmë edhe mbi cilësinë e përgatitjes së futbollistëve, gjatë verës, por edhe në vijimësi gjatë sezonit. /i.m /abcnews.al