Serbia drejt luftës civile? Analistët: Vuçiç mund të shpëtohet vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, opozita serbe ka të njëjtën mendësi si ai

schedule16:53 - 25 Dhjetor, 2023

schedule 16:53 - 25 Dhjetor, 2023

Analistët Ridvan Berisha dhe Mersel Bilalli komentuan situatën në Serbi, ku mijëra persona u mblodhën në qendër të Beogradit në një protestë antiqeveritare të dielën për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se ishin të padrejta.

Në një lidhje live për emisionin “Ballkan Update”, Bilalli theksoi se situata atje do të dramatizohet.

“Mendoj se Serbia për një kohë të gjatë ka pasur një zhvillim të mirë mbi mesatar sa i përket Ballkanit Perëndimor, megjithatë duket se kodi mental i Vuçiç dhe strukturës së tij është i fokusuar në monizëm, në përjashtimin e alternativave, konkurrencës politike kështu që duket se tani do të jetë pika e vlimit. Në politikën e jashtme, Vuçiç sikur flirton me perëndimin dhe fle në shtrat me lindjen. Këtë e pamë edhe me deklaratën e kryeministes serbe, që falenderoi shërbimet sekrete ruse që kanë dhënë informacione për gjendjen e sigurisë. Serbia është në një situatë afër vlimit. Kemi një ndarje të opinionit publik, ajo pro lindore dhe ruse dhe pro perëndimore. Vuçiç duket se ka luajtur me të dyja anët, dhe me Lindjen dhe me Perëndimin dhe Perëndimi ka menduar se me një nuancë është më i lidhur me të. Situata do të dramatizohet sepse kanë zbuluar një numër votuesish fiktiv.”, tha Bilalli.

Berisha thotë se “Vuçiç mund të shpëtohet vetëm nga komuniteti ndërkombëtar nëse e toleron dhe mbyll njërin sy përballë situatës jo demokratike, nëse shpreh gadishmërinë që të jetë lider që garanton paqe.”

“Vuçiç mund të shpëtohet vetëm nga komuniteti ndërkombëtar nëse e toleron dhe mbyll njërin sy përballë situatës jo demokratike, një autokrati si Vuçiç, nëse shpreh gadishmërinë që të jetë lider që garanton paqe dhe ndërkombëtarët ende se kanë të sigurt për shkak të afërsisë së tij me Moskën dhe Kinën.”, u shpreh Berisha.

Sakaq, Berisha shtoi se opozita serbe ka të njëjtën mendësi si Vuçiç sa i përket Kosovës dhe se protestat po bëhen për konsum të brendshëm.

“Opozita serbe nuk ndryshon nga mendësia aktuale e Vuçiç. Mund ta bëjnë këtë për çështje të brendshme por në raport me Kosovën, opozita sot është më agresive se Vuçiç. Nga motoja që kanë pasur, ‘Serbia e Madhe’ sot kanë kaluar tek formulimi ‘bota serbe’. Kanë doktrinë hegjemoniste tek vendet e rajonit. Nuk besoj se në Serbi ka asilloj mendësie për ta parë perëndimin si adresë së vetme.”, tha Berisha./abcneës.al