Buxheti i Tiranës për vitin e ardhshëm është dhjetë herë më i madh se ai i tetë viteve më parë. Kryebashkiaku Erion Veliaj e deklaroi në takimin e fundvitit me anëtarët e këshillit bashkiak ku shprehu dhe keqardhjen për situatën e krijuar nga opozita në mbledhjen e fundit.
“Unë e trajtoj me shumë respekt votën e atyre që na kanë mbështetur, ashtu sikurse respektoj edhe bindjen e atyre që nuk mendojnë si ne, sepse them se duhet të punojmë më shumë për ta çuar përpara Tiranën. Por, kur shikon disa kolegë që nuk e kanë fare problem të tallen dhe ta trajtojnë pa pikë respekti votën e qytetarit, ç’rëndësi ka sa pak je, vërtet ndoshta nuk i ke numrat, por ke mundësi të bësh diferencën në cilësi, të japësh një propozim alternativ, të thuash ti një buxhet sipas pikëpamjes tënde, një sistem taksash sipas pikëpamjes tënde, një plan investimesh sipas ideve të tua, është për të ardhur keq”.
Tensionet në parlament tha Veliaj po zhvendosen edhe në Këshillin Bashkiak e kjo sipas kryebashkiakut si një kopje e shëmtuar e një pjese të vogël të politikës.
“Sot të vetmit që pengojnë qytetin, progresin, zhvillimin, janë një pjesë e jona, fatmirësisht e vogël, dhe e pamjaftueshme për të na penguar, por kur do vijë ajo ditë? Kjo është brenga ime. Pra, aq sa jam krenar për çfarë kemi arritur, aq edhe është brengë sesi Këshilli Bashkiak po kthehet në një miniaturë të Parlamentit, me ato lloj sjelljesh primitive. Ndërkohë që, për fatin tonë, shoqëria është emancipuar shumë dhe ka ecur shumë më shumë përpara. Ne kemi një shoqëri e cila sot kodon, ne kemi një shoqëri sot që ka ndjesi ambientaliste për mobilitetin dhe për mënyrën sesi e trajton jetën. Shoqëria jonë është shumë perëndimore. Dhe në qoftë se Shqipëria është Europa në Ballkan, Tirana është pjesa më europiane e Shqipërisë”.
Kryetari i bashkisë tha se në kontrast me sjelljen e këshilltarëve të opozitës, Tirana po merret seriozisht nga liderët e Europës të cilët e kanë shpallur kryeqytet të Rinisë, Sportit dhe Kulturës./abcnews.al