Pas dështimit me negociatat, Maqedonia e Veriut pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Vendimi është marrë nga Kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se pavarësisht gabimit historik të BE, çdo politikan duhet të marrë përgjegjësi para qytetarëve.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fjalën e tij në selinë e qeverisë në Shkup, tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Deklarata vjen pasi një ditë më parë nuk u pranua hapja e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Ndër të tjera ai u shpreh se duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultimeve të zhvilluara, zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë ishin zgjedhjet e parakohshme.
Ai tha se me këtë propozim do të shkojë edhe në takimin e së dielës, të liderëve, të kërkuar nga presidenti Pendarovski. Zaev u shpreh se Brukseli kishte bërë një padrejtësi pasi vendi i ka kryer të gjitha detyrat.
“Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Ky është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”, tha mes të tjerash Zaev.
Ai theksoi se fokusi i tij do të jetë për reforma, integrimin euroatlantik dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve./ABC News Albania