Gugash Magani nuk është më trajner i Teutës

schedule17:13 - 27 Dhjetor, 2017

schedule 17:13 - 27 Dhjetor, 2017

Gugash Magani nuk është më trajner i Teutës. Klubi durrsak zgjodhi Stavri Nicën, si pasardhësin e tij, në një përpjekje për të siguruar mbijetesën në Superligë.

Sezonin e nisi shumë mirë, por gjithçka shkoi për keq.
Teuta u detyrua të ndryshonte drejtuesin e skuadrës pasi Gugash Magani vendosi të largohej.
Në vend të tij, është emëruar Stavri Nica, trajneri që e filloi edicionin në krye të Laçit, por që u largua shumë shpejt.
Në krah të Nicës, sipas burimeve tek Teuta, do të jetë Ilir Biturku, ndërsa me ikjen e Maganit, ekipin e stërviti shefi i klubit.

Magani pati një krisje me skuadrën disa javë më parë dhe madje paraqiti dorëheqjen, gjë që nuk u pranua nga presidenti Hasanbelliu.
Trajneri peqinas vazhdoi punën, por duket se marrëdhëniet me një pjesë të skuadrës ishin prishur në mënyrë të pariparueshme dhe gjendja nuk u përmirësua.
Humbja 1-3 në javën e fundit, në fushën e Skënderbeut, ishte momenti që solli ndryshimin, pasi Magani nuk doli më në stërvitje.

Skuadra durrsake ndodhet në vendin e tretë nga fundi, me pikë të barabarta me Vllazninë, dhe cilësohet si një nga kandidatet kryesore për të zbritur në Kategorinë e Parë.
Kjo gjë nuk ndodh që prej kohësh që nuk mbahen mend, ndaj edhe drejtuesit duan që të sigurojnë mbijetesën me çdo çmim./abcnews.al

Gazetar i ABC News: Bledar Kuka

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!