Laçi, pozicioni i preferuar dhe objektivi i Tiranës: rrëfehet Cobbinah

schedule20:36 - 18 Tetor, 2019

schedule 20:36 - 18 Tetor, 2019

Tirana-Laçi është një ndeshje shumë interesante dhe ndër më të fortat e kësaj jave. Të dy ekipet nuk fitojnë prej tre ndeshjes dhe do të tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë nesër, sfidë që nis në orën 17:00.

Pas trajnerit Mema, ka qenë radha e Vinful Cobbinah për të dalë në konferencën për shtyp. Ganezi analizon momentin e skuadrës dhe jep mendimin e tij për bardhezinjtë kurbinas. 28-vjeçari zbulon pozicionin e preferuar në fushë dhe e mbyll me objektivin e Tiranës.

Një fitore nesër i dërgon një pikë poshtë kreut dhe Cobbinah, i cili i shënoi Laçit vjet në fitoren 1-3, beson fort se ekipi do të jetë konkurrues për kreun deri në fund.

KUNDËRSHTARI – “Tirana ndaj Laçit është gjithmonë një ndeshje e vështirë. Por, nuk do jetë “luftë”. Vijmë nga një situatë e vështirë, por nuk jemi poshtë moralisht. Nesër besoj se do ndryshojë gjithçka. Do futemi në fushë për të marrë 3 pikët. Ata kanë luajtur gjithmonë shumë fort në mbrojtje dhe kanë tentuar të na kapin me kundërsulme. Ata ndryshuan trajnerin pak ditë më parë dhe nuk e dimë ende filozofinë e trajnerit të ri. Duhet ta lexojmë lojën me kujdes që nga fillimi”.

POZICIONI I PREFERUAR – “Si lojtar, unë jap më të mirën aty ku më fut trajneri. Mua më shijon më shumë krahu i djathtë, ndihem më mirë aty. Në fund, është trajneri që vendos se ku luaj”.

RASTET – “E vërtetë, ishte një rast shumë i mirë ai kundër Kukësit, por i tillë është futbolli. Duam të shënojmë çdo rast që krijohet, por ndonjëherë është e pamundur. Por, në të njëjtin pozicion, pak minuta më vonë shënova. Me rëndësi është, që kur të jemi brenda zonës së kundërshtarit, duhet të jemi më të qetë dhe të shfrytëzojmë rastet. Në një moment apo tjetër, goli do vijë”.

SITUATA – “Në futboll, bëhen shumë gabime, prandaj vazhdojmë stërvitemi dhe kemi një trajner që punon me ne që t’i rregullojmë. Nuk luhet pa gabime. Shpresoj që t’i korrigjojmë shumë gjëra. Do vazhdojmë të punojmë, shpresoj të jemi më mirë”.

OBJEKTIVI – “Titulli? Kjo do shihet në fund të sezonit. Tani kemi një grup më të mirë se vjet. Po luajmë mirë dhe do i marrim ndeshjet me radhë deri në fund”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!