Napoli zbret nesër në fushën e blertë. Ekipi i Ancelottit pret në “San Paolo” Veronën e Kumbullës dhe Rrahmanit. Nënkampionët e Italisë renditën në vend të katërt me 13 pikë, gjashtë më pak se kryesuesit e Juventusit.
Trajneri i Napolit sqaron gjendjen e ekipit. Mungesa e rezultateve pozitive në ndeshjet e fundit ka sjellë kritika, por Ancelotti nuk e humbet qetësinë. Ai ndalet gjatë te Lorenzo Insigne dhe zbulon planin e tij në lidhje me Hirving Lozano.
SITUATA – “Duhet t’i bëjmë më mirë disa gjëra. Na djegin barazimet me Genkun dhe Torinon dhe humbja me Cagliarin. Gjithsesi, nuk është ndonjë dramë e madhe dhe ndihemi të qetë. Nëse bëjmë ndonjë ndryshim në sulm, nuk do të thotë se humbasim identitetin tonë. Do të thotë marrje masash kundër një kundërshtari specifik. Do të luajmë ndryshe nga ndeshja me Torinon”.

INSIGNE – “Lorenzo e ka nisur shumë mirë sezonin. Ishte super në miqësoret në prag të startit dhe bëri mirë në ndeshjet e para. Më pas ndryshoi disi pozicionin e tij dhe pati një moment konfuzioni. De Laurentis e vuri re diçka të tillë. Ai mbetet një lojtar i rëndësishëm për mua dhe ekipin. Jep më të mirën e tij kur është i qetë dhe i gëzuar. Nëse gjendja e tij shpirtërore nuk është e mirë, nuk arrin të shprehë gjithë potencialin. E dërgova në tribunë kundër Genkut, ishte një sinjal i fortë i imi. Nuk u stërvit siç duhej dhe u soll keq. Tani po stërvitet qetësisht dhe do të bëjë mirë në ndeshjet e ardhshme”.
E ARDHMJA – “E kam thënë gjithmonë që ndihem shumë mirë te Napoli. Nuk është momenti për të diskutuar rinovimin tim, duhet të përqendrohemi te skuadra dhe cikli i ndeshjeve që luajmë këtë periudhë”.
LOZANO – “Presim të gjithë shumë nga ai, por deri tani ka kryer vetëm 6 stërvitje taktike me ne. Kemi nevojë ta njohim më mirë. Mund të pozicionoj aty ku ka luajtur më pak, në majë të sulmit. Ka cilësi të mëdha në sulmimin e hapësirave dhe është shumë i shpejtë. Nuk kemi një lojtar me karakteristika si Lozano në ekip”. /abcnews.al

