Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka hapur rrugë organizimit të peticioneve për largimin e kryetarëve në tri komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, pasi i ka kthyer përgjigje zyrtare kërkesës së tre kryesuesve të kuvendeve komunale për komunat përkatëse, njoftoi të hënën zëdhënësi i komisionit, Valmir Elezi.
Elezi tha se KQZ-ja i ka njoftuar kryesuesit e tri kuvende komunale, tri grupeve nismëtare dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës (MAPL), lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komunave “mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind”, shkruan REL.
“KQZ-ja, përmes këtyre tri përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare janë votues të komunave përkatëse”, tha Elezi.
Ai tregoi edhe për numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote në tri komunat Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, si dhe numrin e saktë të votuesve që përbëjnë 20 për qind të trupit votues në secilën komunë, që është i nevojshëm për shkarkimin e një kryetari komune përmes peticionit.
Ai tha se nga komuna e komuna e Zveçanit komisioni nuk ka pranuar asnjë kërkesë të ngjashme.