27-vjeçari Leonard Farruku nga Manza e Durrësit është shqiptari i vetëvrarë në anijen Bibby Stockholm ku mbahen azilkërkuesit e regjistruar në Britani. Ngjarja është regjistruar ditë më parë, megjithatë medita britanike zbuluan të hënën identitetin e të riut që i dha fund jetës.
Sipas medias britanike “The telegraph” 27 vjecari pagoi 4,000 euro për të kaluar Kanalin La Mansh me gomone duke hyrë ilegalisht në Britani verën e kaluar.
Vetëvrasja u bë publike të mërkurën ndërsa mediat raportojnë se i riu shqiptar ishte ankuar për gjendjen e tij mendore një ditë para se të vdiste.
Jola Dushku, motra e viktimës që jeton në Lombardi të Italisë, tha se ishte e tronditur nga lajmi, të cilin e morën vesh nga të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ka deklaruar se do të mësoje të vërtetën se çfarë ndodhi atë natë me vëllain në anijen Bibby Stockholm.
“Kur fola me të herën e fundit, ai më tha se po trajtoheshin nga rojet si kafshë. Vëllai im, kur mbërriti në Britaninë e Madhe i dha Home Office adresën e të afërmve tanë në Londër.
Ata u kontaktuan nga policia e cila u tregoi se çfarë kishte ndodhur. Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq”, tha ajo.
Autoritetet britanike kishin vendosur të zhvendosin në këtë anije të marrë me qira qindra azilkërkues që kanë hyrë ilegalisht dhe që janë në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil.
Burrat e moshës 18-65 vjeç, nga vende të ndryshme, përfshire edhe Shqipërinë, mund të kalojnë nëntë muaj në bordin e anijes, e cila më parë është përdorur për të akomoduar të pastrehët dhe azilkërkuesit në Gjermani dhe Holandë.
/abcnews.al