Për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, ministri rus i Financave, Anton Siluanov, mori pjesë fizikisht në një takim të G20.
Prania e tij në tryezën e ministrave, teksa Shtetet e Bashkuara mbajnë presidencën e grupit, shkaktoi pakënaqësi te disa përfaqësues evropianë.
Ministri polak i Financave, Andrzej Domanski, tha se Varshava nuk i beson Moskës dhe se çdo komunikim me përfaqësuesit rusë duhet të bëhet me shumë kujdes. Edhe ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, e cilësoi praninë e Siluanovit si një sinjal shqetësues për bashkëpunimin amerikan me Evropën në çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Siluanov zhvilloi një takim dypalësh me Sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent. Sipas palës amerikane, diskutimet u përqendruan te plani i Presidentit Donald Trump për paqen në Ukrainë, ndërsa një burim për Reuters u shpreh se Bessent bëri të qartë se lehtësimi ekonomik për Rusinë nuk është i mundur pa përfundimin e luftës.
Përplasjet politike rrezikuan të lënë në plan të dytë axhendën ekonomike të samitit, ku diskutohen rritja globale, goditja e energjisë nga lufta në Iran, suficiti tregtar i Kinës dhe ndikimi i investimeve masive në inteligjencën artificiale.
Ndërkohë, ministrat evropianë refuzuan të shfaqeshin në fotografinë tradicionale të familjes së G20-ës me homologun rus. Fotografia u realizua pa Siluanovin.

