Miroslav Klose e ka provuar edhe Serie A, pasi është aktivizuar me skuadrën e Lazios. Sulmuesi gjerman u kthye në një nga më të dashurit për tifozët dhe normalisht vazhdon ta ndjekë skuadrën laciale.
Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ai ka vlerësuar punën e mirë të Simone Inzaghit dhe ka zbuluar se është i habitur nga ajo që ka bërë Thomas Strakosha. “Inzaghi është duke bërë një punë të mirë, por surpriza e vërtetë është Thomas Strakosha. Do të kisha vënë bast të gjitha kursimet e mia që ai nuk do të bëhej një titullar”, ka thënë mes të tjerave gjermani.
Klose më pas ka folur edhe për mikun e tij, Franck Ribery, i cili po luan në Serie A me Fiorentinën. Ish-sulmuesi prek pak edhe Milanin e Interin. “Riberi është i jashtëzakonshëm, në Firence do të argëtohen me të.
Tek Interi shikohet dora e trajnerit Antonio Conte dhe lojtari që më ka befasuar është Sensi. Sa i takon trajnerit të ri të Milanit, mendoj se Stefano Pioli është i duhuri për ta”, ka deklaruar Klose. /abcnews.al