Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka deklaruar në emisionin “Sheshi i Dollarit” se është shënuar një rritje pozitive e formalizimit të operatorëve turistikë detarë dhe kjo është një punë që ka filluar prej vitesh.
Ajo ka theksuar se kemi mbi 500 bujtina dhe 1500 struktura akomoduese, të cilat ndihmojnë në përballimin e numrit të lartë të turistëve.
“Formalizimi i strukturave akomoduese është një punë që ka filluar prej vitesh. Ka filluar prej tre vitesh dhe kemi një rritje të shifrës së formatorve turistikë detarë, kemi mbi 100 operatorë, duke shënuar kështu një bum. Kemi mbi 500 bujtina dhe 1500 struktrura akomoduese pa përmendur ato më përpara.
Ka nevojë për transparencë, unë si klient dua të shoh se në çfarë hoteli do shkoj dhe çfarë më jep kjo ofertë përveç emrit dhe vendodhjes. Kemi në plan të kemi dhe taksën e fjetjes në mënyrë që të ketë akses dhe policia”.
Më tej, ministrja foli dhe për panairet ku Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në të ardhmen.
“Viti 2024 fillon me një ngjarje shumë të madhe për Shqipërinë. Do të fillojë me panairin e Madridit. Në mars Shqipëria do të marr pjesë në panairin e Berlinit, më i madhi në botë për turzimin, morëm pjesë dhe vjet, por kemi marrë ftesën që Shqipëria do të jetë ‘Vendi i nderit për panairin e Berlin’ dhe në prill Organizata Botërore e Turizmit ka vendosur që Shqipëria do të jetë vendi i pritjes së shumë vendeve. Kjo është vetëm për 4 mujorin e parë në planin e masave që ne kemi marrë”./abcnews.al