Nobeli i letërsisë, Akademia Suedeze mbron shkrimtarin austriak: Nuk ka glorifikuar gjakderdhjen

schedule22:39 - 17 Tetor, 2019

schedule 22:39 - 17 Tetor, 2019

Akademia Suedeze që i dha çmimin Nobel për Letërsinë shkrimtarit austriak ka mbrojtur zgjedhjen e saj për vitin 2019. Përmes një reagimi, Akademia ka deklaruar se pavarësisht pjesëmarrjes në ceremoninë mortore të Sllobodan Millosheviç, shkrimtari Peter Handke nuk ka mbështetur kurrë gjakderdhjen e viteve ’90 në Ballkan.

Akademia Suedeze ka mbrojtur vendimin e saj për dhënien e çmimit Nobel për Letërsinë shkrimtarit austriak Peter Handke, duke deklaruar se ai vërtet ka bërë komente provokuese, por nuk ka mbështetur gjakderdhjen.

Çmimi për Handke shkaktoi kritika të shumta, përfshirë nga të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës në Bosnje, por edhe nga të mbijetuarit e luftës në Kosovë, që i kanë kërkuar Akademisë të tërheqë çmimin prej 930 mijë dollarësh që caktoi për shkrimtarin austriak javën e kaluar.

Në vitin 2006, Handke foli në ceremoninë mortore të ish-liderit serb Sllobodan Millosheviç, që vdiq në gjendje burgimi teksa priste gjykimin në Hagë për rolin e tij në luftërat e viteve ’90 në Ballkan.

Handke ishte gjithashtu një mbështetës i zëshëm i liderëve serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të cilët u dënuan për genocid për vrasjen e mbi 8 mijë myslimanëve të Bosnjës.

Në një artikull të publikuar në një të përditshme, kreu i Akademisë Suedeze, Mats Malm pranoi se Handke kishte bërë deklarata provokuese për çështjet në fjalë, por shtoi se ai nuk kishte glorifikuar gjakderdhjen dhe se e kishte dënuar hapur masakrën e Srebrenicës.

“Akademia nuk ka gjetur asgjë në shkrimet e tij që të përbëjë një sulm ndaj shoqërisë civile, apo ndaj barazisë së njerëzve”, shkroi Malm.

Akademia citoi një artikull të vitit 2006 në një gazetë gjermane, ku Handke thoshte se masakra e Srebrenicës ishte krimi më i rëndë ndaj njerëzimit që prej Luftës së Dytë Botërore./abcnews.al