Mbrëmjen e së martës, që sapo lamë pas, “Blutë” e Napoli fituan me rezultatin e pastër, 2 me 0 përballë portugezëve të Braga-s në një sfidë ku i mjaftonte edhe barazimi për t’u kualifikuar mes 16 skuadrave më të mira në Champions League.
Kampionët në fuqi të Italisë, zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë, duke mposhtur për herë të dytë rivalët portugezë, falë autogolit të Saatci dhe golit të “bomberi” nigerian, Victor Osimhen, të shënuar në minutat 9′ e 33′ të sfidës.
Pas sfidës, disa fjalë për mediat i tha edhe portieri i skuadrës së teknikut, Walter Mazzarri, Alex Meret, i cili foli fillimisht për suksesin e merituar ndaj portugezëve e më tej foli edhe për performancat e tij, në fushën e blertë.
“Ishte një ndeshje pozitive nga ana jonë, e menaxhuam mirë që në fillim. I lejuam Braga-s ca si shumë raste, por ishte e rëndësishme të mos pësonim gol dhe të gjenim kompaktësinë e nevojshme. Pritja ndaj Hortas? Unë nuk jam një portier që bëj pritje fotografish, ishte një goditje shumë e fortë dhe arrita ta devijoja mbi traversë. Bëra atë që duhej të bëja, ishte e rëndësishme të mos pësoja gol në atë moment”, – u shpreh “gardiani” italian. /i.m /abcnews.al