Nga Etleva Delia
Vrasjet për gjakmarrje mes dy fiseve mund të vazhdojnë për vite e madje edhe dekada me radhë. Një herë vritet dikush nga njëra palë dhe pastaj vritet dikush nga pala tjetër. Hallkë pas hallke zgjatet një zinxhir i tërë hakmarrjesh që fillimi i dihet, por fundi jo. Kjo vetëm se familje e fise të tëra që u janë vrarë njerëzit besojnë se gjaku lahet vetëm me gjak. Ata besojnë ende tek e drejta zakonore dhe tek kanuni, sipas të cilit: “Gjaku nuk mbetet kurrë pa u marrë”.
Kanuni ka pasur një rol specifik dhe të rëndësishëm në funksionim e shoqërisë disa shekuj më parë. Por vazhdon të përdoret edhe sot, madje edhe të keqinterpretohet duke bërë që qindra të ngujuar të presin ditën e shpagimit dhe ditën e ekzekutimit. Pavarësisht ashpërsimeve ligjore për ta frenuar, as shteti, as shoqëria nuk kanë gjetur asnjë rrugëdalje për të kapërcyer këtë fenomen që po mban peng qindra banorë.
Pas një periudhe të gjatë pauze, për shkak të sistemit, gjakmarrja u rikthye ashpër pas vitit 1990, kryesisht në veri të vendit. Njerëzit filluan t’u rikthehen hasmërive të vjetra, për të çuar në vend nderin e disa familjeve. Ata i referoheshin kanunit, por pa e njohur siç duhet dhe rrjedhimisht pa ditur se çfarë po bënin e çfarë pasojash do të kishte. Ky krim u kthye në shqetësim për Policinë dhe mori përmasa edhe më të mëdha pas vitit 1997, kur armët ranë në dorën e qytetarëve. Viti 1998 shënoi një rekord sa i takon vrasjeve për gjakmarrje. Nga 573 vrasje që ndodhën atë vit, 45 kishin si motiv gjakmarrjen. Por situata erdhi drejt përmirësimit vit pas viti, deri në vitin 2009, kur ndodhi vetëm një vrasje për gjakmarrje. Pavarësisht reduktimit të numrit të vrasjeve për gjakmarrje, mbetej shqetësues numri i madh i familjeve të ngujuara në Shkodër, Malësinë e Madhe, Lezhë, Mirditë, Kukës, Tropojë e madje edhe në Tiranë.
Përveç masave që mori Policia, duke bashkëpunuar edhe me shoqata të pajtimit të gjaqeve, ky fenomen solli nevojën e domosdoshme të ndryshimeve në Kodin Penal. Në vitin 2001, Kodi Penal parashikonte “Vrasjen për Gjakmarrje” në Nenin 78, duke e konsideruar si “Vrasje me Paramendim”. Por kjo u ndryshua më datë 21 janar të vitit 2001, duke u quajtur “Vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje” dhe dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm. Në vitin 2013 masa e dënimit për këtë lloj krimi me pasoja të rënda u ashpërsua edhe më shumë.
Me Ligj nr. 144 të vitit 2013, për disa Shtesa dhe ndryshime në ligjin datë 27 janar 1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, u shtua neni 78/a me emërtesën “Vrasje për gjakmarrje”, me parashikimin: Vrasja me dashje për gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 30 vjet ose me burgim të përjetshëm.
Deri në vitin 2015 pati një trend në rritje e më pas u pasua një rënie, ku në vitin 2022 ndodhen vetëm 5 ngjarje të tilla.
Por gjatë këtij viti që po mbyllet, 3 vrasje për gjakmarrje, ndodhën vetëm në Lezhë. Bëhet fjalë për hasmërinë 26-vjeçare mes familjeve Lekstakaj e Nikulaj, që e kemi trajtuar edhe më parë në “Gjërat Tona”.
Zbardhja e një ngjarje dhe vënia para drejtësisë e autorëve, mund të shihet si një mundësi për shkëputjen e hallkës në zinxhirin e gjakmarrjes. Megjithatë kjo nuk ndodhi. E për pasojë vrasjet vazhduan. Askush nuk ka siguri nëse vrasja e Ardian Nikulajt do të jetë hallka e fundit në këtë zinxhir.
Në këtë formë e mbyllëm emisionin e datës 29 prill, ku sollëm historikun e vrasjeve dhe rrëfimet e dëshmitarëve, pas ekzekutimit të Ardian Nikulajt. Pavarësisht dyshimeve, që më vonë nuk na rezultuan pa baza, besuam se pas zbardhjes së kësaj ngjarje, ndoshta hasmërisë mes fiseve Nikulaj e Lekstakaj do i vinte fundi. Por nuk ndodhi kështu.
Ngjarja u pasua edhe me dy viktima. Të paktën Policia thotë se janë vrasje që dyshohet të jenë kryer për gjakmarrje. Tre muaj pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, u ekzekutua një i afërm i familjes Lekstakaj. E pak më shumë se 4 muaj pas tij, një tjetër viktimë u shënua në familjen Nikulaj.
Pra hasmëria po vazhdon. Nga asnjëra anë nuk po falet gjaku. E drejta zakonore sërish po dominon mbi të drejtën penale dhe askush nuk është në gjendje të thotë se për sa kohë.
Kjo histori gjakmarrjeje, për 26 vjet ka shënuar 8 të vrarë dhe 3 të plagosur.
25 Qershor 1997
Ndodh vrasja e dyfishtë në karburant, pas të cilës nisi hasmëria
Konflikti mes dy familjeve, Nikulaj dhe Lekstakaj ka nisur prej 26 vitesh. Më 25 qershor të vitit 1997, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës ka mbetur i vrarë vëllai i Ardian Nikulajt.
Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Nikulaj, Pëllumb Nikulaj, bashkë me Fran Çulajn, punonin në një pikë karburanti. Një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj ka shkuar për të furnizuar makinën aty dhe në një moment punonjësit kanë nisur të debatojnë me drejtuesin. Debati ka ndodhur me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit, 5 mijë lekë të vjetra. Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre është rikthyer i armatosur disa minuta më vonë duke qëlluar në drejtim të karburantit. Nga të shtënat mbeti i vrarë edhe vëllai i Ardian Nikulajt, Pëllumbi dhe kolegu tij Fran Çulaj, ndërsa u plagos Mark Lekstakaj.
Prokuroria e Lezhës
“Me datë 25.06.1997, në qytetin e Lezhës, në një pikë karburanti shtetasit Gëzim Leksakaj, Lorent Gjetja në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Pëllumb Nikulaj, vëllai i viktimës Ardian Nikulaj dhe Fran Çulaj”.
Kjo ngjarje, si shumë të tjera të vitit 1997 mbeti e pazbardhur plotësisht dhe pa autorë të ndëshkuar. Në atë kohë u tentua edhe për një pajtim mes 3 familjeve që u përfshinë në hasmëri, por njëra prej tyre nuk pranoi dhe ngjarjet pasuan njëra-tjetrën.
Në atë kohë, por edhe më vonë, iu mëshua variantit se vrasja në karburant ndodhi për 5 mijë lekë të vjetra. Në atë ngjarje ka qenë prezent edhe Elton Lekstakaj, i cili u dyshua si i përfshirë në ngjarje bashkë me kushëririn e tij, Eri Lekstakaj. Elton Lekstakaj pas shumë përballjesh me drejtësinë, edhe pse ishte gjykuar e dënuar në mungesë me 25 vjet burg, për shkak se u largua drejt Britanisë së Madhe, më vonë ka marrë pafajësinë. Ndërsa kushëriri i tij Eri Lekstakaj është dënuar.
Elton Lekstakaj, në korrespondencën me institucionet ligjzbatuese shqiptare, ka treguar një tjetër variant për ngjarjen.
Elton Lekstakaj
“Atë ditë kam qenë duke shoqëruar Nikollë Lesin, unë, Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja. Kemi qenë nëpër mitingje me Nikollë Lesin. Kemi qenë në Torovicë, Balldre, Gocaj dhe Kakarriq, sepse ai kishte hedhur kandidaturën për deputet. Kur kemi mbaruar mitingun jemi ndarë me Nikollën dhe në darkë e lamë të mblidheshim në Kune, sepse ishte dita e fundit e mitingut. Jemi mbledhur në oborr, tek shtëpia e gjyshit. Kam qenë unë, nipi dhe xhaxhai, Gëzim Lekstakaj. Po rrinim aty dhe po prisnim orën 9 të darkës që të shkonim në Kune. Në atë kohë kanë ardhur, Mark Lekstakaj, Gjergj Lekstakaj dhe Armir Lekstakaj. Në atë moment dikush i Nikulajve ka ardhur me automatik në dorë dhe i ka që po nuk erdhi Gjergji deri në orën 8 të darkës te karburanti i Fran Çulajt, unë e vras! Ne hipëm të gjithë ashtu siç ishim në makinë. Aty gjetëm shumë njerëz. Njëri ndër ta ishte edhe vëllai i Fran Çulajt, Doda. Po flisnim me të, por ai ishtë shumë i qetë. Na tha: “Ju s’më keni lekë borxh, kush ju ka thënë të vini këtu?”. Gjithë problemi ishte se dikush kishte thënë që Nikolin Lekstakaj kishte marrë 5 mijë lekë naftë borxh. Dodë Çulaj është dëshmitar, ka qenë edhe në gjyqin që jam dënuar unë me 25 vjet burg. Në kohën që po sqaroheshim ka ardhur Pëllumb Nikulaj me automatik në drejtimin tonë. Aty ka mbetur i vrarë Fran Çulaj dhe Pëllumb Nikulaj, ndërsa Mark Lekstakaj, ka mbetur i plagosur. Në atë ngjarje kemi hyrë në gjak 3 fise, Lekstakaj, Çulaj dhe Nikulaj”.
29 Shtator 1997
Vriten dajë e nip, Gëzim Lekstakaj e Lauren Gjetja
Pak muaj pas kësaj ngjarje, më 29 shtator të vitit 1997, në Balldre të Lezhës u vranë Gëzim Lekstakaj dhe Lauren Gjetja, konkretisht dajë e nip. Prokuroria e Lezhës ka regjistruar procedimin penal në lidhje me këtë ngjarje, i cili është pezulluar për zbulim autori. Klodian Lekastakaj, nipi i Gëzim Lekstakajt, është pyetur në cilësinë e personit dëshmitar mbi karakteristikat e personave autorë, si dhe drejtimin e lëvizjes së tyre por nuk ka mundur t`i identifikojë autorët.
Prokuroria e Lezhës
“Më datë 29 shtator 1997, në fshatin Balldre-Lezhë, janë vrarë me armë zjarri shtetasit Gëzim Lekstakaj dhe Lauren Gjetja, ngjarje për të cilën nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë është regjistruar procedimi penal Nr.150, viti 1997, ku nga të dhënat e siguruara në rrugë operative dyshohet se ky krim është kryer për motive gjakmarrje dhe një nga autorët e dyshuar, ka qenë shtetasi Ardian Nikulaj (viktimë e ngjarjes së ndodhur me datë 19.04.2023)”.
Klodian Lekstakaj ka dëshmuar në lidhje me ngjarjen, duke shpjeguar rrethanat se si ka ndodhur.
Klodian Lekstakaj
“Unë kam qenë bashkë me xhaxhain dhe Laurenin, ishim tek toka ku po punonin. Kam qene 30 metra larg tyre kur pashë dy persona që dolën nga kanali, të cilët i njoha. Ishin Arben dhe Ardian Nikulaj. Ata dolën me automatik dhe nisën të gjuajnë drejt tyre, xhaxhait dhe Laurenit. Në atë moment unë ika me vrap drejt shtëpisë. U tregova atyre në shtëpi se çfarë kishte ndodhur. Para se të ndodhte ngjarja aty ka qenë edhe një djalë tjetër që ka folur me xhaxhain. Edhe ai e ka parë ngjarjen dhe ka dëshmuar për të njëjtët autorë si unë”.
Për këtë ngjarje është dënuar me 3 muaj burg, Nikollë Nikulaj. Në atë kohë ngjarja nuk u trajtuar si gjakmarrje, as nga Policia, as nga Prokuroria. U hetua si një ngjarje që ndodhi për vetëmbrojtje. Nikollë Nikulaj, në atë kohë zetorist, sipas Policisë kishte shkuar të punonte tokën e dy familjeve. Palët qëlluan me armë dhe, sipas hetuesve të kohës, Nikulaj veproi për vetëmbrojtje.
30 Mars 1999
Vritet Gjovalin Lekstakaj, plagoset i vëllai Pjetër Lekstakaj
Më mars të vitit 1999, ndodhi një tjetër përplasje mes dy familjeve në hasmëri. Gjovalin dhe Pjetër Lekstakaj qëlluan me armë zjarri ndaj Nikollë Nikulajt, xhaxhait të Ardian Nikuljt.
Nikolla, i plagosur, u është kundërpërgjigjur me armë gjahu dhe në këtë formë ka mbetur i vrarë Gjovalin Lekstakaj dhe është plagosur Pjetër Lekstakaj, i cili më pas u largua në Birmingham, në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2000, ai u shpall fajtor në mungesë për vrasjen e Nikulajt, vrasje që as në këtë rast drejtësia shqiptare nuk e konsideroi për gjakmarrje. Sipas Prokurorisë ngjarja ndodhi për një mosmarrëveshje në lidhje me tokën. Pjetër Lekstakaj u dënua nga Gjykata e Lezhës me 10 vjet burg për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Prokuroria e Lezhës
“Në vijim të këtij konflikti hasmërie, me datë 30.03.1999, në fshatin Balldre-Lezhë, shtetasit Gjovalin Lekstakaj dhe Pjetër Lekstakaj, kanë qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasit Nikollë Mark Nikulaj, i cili është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë gjahu, çifte, të cilën e posedonte me leje dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Gjovalin Leksataj dhe janë plagosur shtetasit Pjetër Lekstakaj dhe Nikollë Nikulaj”.
Në vitin 2007 ai u arrestua në Angli me qëllim ekstradimi, por para gjykatës atje argumentoi se, sipas ligjeve të të drejtave të njeriut, ai duhej të qëndronte në Britani për t’u trajtuar për çrregullime të stresit post-traumatik dhe depresion. Gjykata ra dakord dhe rrëzoi kërkesën për ekstradim.
Vendimi u dha në seancën e fundit të një gjyqi që kishte nisur më 17 Janar të vitit 2007. Pjetër Lekstakaj fitoi të drejtën për mos u ekstraduar në Shqipëri, pasi siç argumentonte gjykata, atje nuk do i jepej shërbimi i duhur mjekësor për depresion dhe probleme të tjera mendore.
19 prill 2023
Ekzekutohet nga një vrasës portugez Ardian Nikulaj
Pas një paqeje 24 vjeçare, gjakmarrja u rikthye sërish në Lezhë më 19 prill të vitit 2023, kur u vra biznesmeni Ardian Nikulaj. Madje në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga shtetas të huaj që nuk ia kanë idenë kanunit e të drejtës zakonore. Ngjarja u referua fillimisht në Prokurorinë e Lezhës, por tashmë me hetimin e saj po merren prokurorët e SPAK.
Në orën 13:30, Nikulaj ishte ulur i vetëm duke pirë kafe në lokalin e tij dhe po fliste në telefon. Aty është futur një person i veshur me jelek fosforeshent, skafandër në kokë, i ngjashëm me korrierët që shpërndajnë postën.
Ky person shtatlartë, që u arrestua pak kohë më vonë në Marok, portugezi Ruben Saraiva, i është afruar Nikulajt pa e hequr skafandrën. Më pas, ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe e ka qëlluar 6 herë. Madje duke iu afruar shumë pranë. Pasi është siguruar që e ka vrarë, duke qenë se e qëlloi edhe në kokë, ai nxiton të largohet drejt motorit që e kishte lënë afro 200 metra larg lokalit “Coral”.
Ngjarja u zbardh në kohë rekord dhe ishte vetë drejtori i përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, që në një konferencë për shtyp tha se vrasja kishte ndodhur për gjakmarrje dhe autorët ishin identifikuar.
Të dyshuar për këtë ngjarje janë: Ruben Saraiva, shtetas nga Portugalia, i dyshuar si ekzekutor, bashkëpunëtorët Harry Simson, Harriet Bridgeman, Thomas Mithan, dhe Steven Hunt të gjithë shtetas britanikë, si dhe Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro- britanik, që sipas Policisë dyshohet të jetë porositës, financues e planifikues i vrasjes së Ardian Nikulajt. Edmond Haxhia, ëshë djali i dajës së Elton dhe Klodian Lekstakajt, të cilët jetojnë në Angli. Ishin në gjak me Nikulajn.
Grupi hetimor është ndalur te fakti se Edmond Haxhia iku nga Shqipëria përmes Rinasit vetëm pasi u bind se vrasja është kryer. Haxhia kishte jetuar shumë kohë jashtë vendit dhe kur u kthye askush nuk e njihte. Ai kishte ikur në Angli që kur ishte14 vjeç dhe ndërkohë ishte kthyer në zonë me qëllimin për të orientuar grupin e të huajve që duhej të vrisnin për gjakmarrje Ardian Nikulajn.
Edmond Haxhia dhe tre shtetas të tjerë britanik janë ndaluar në Angli. Ata janë në paraburgim në pritje të miratimit ose jo të kërkesës për ekstradim. Me përjashtim të Harriet Bridgeman, për të cilën Gjykata vendosi të hetohej në gjendje të lirë, duke qenë se ishte nënë e një vajze të mitur.
Edmond Haxhia ka marrë një makinë me qira në Shkodër. Më 14 shkurt ai është parë në Aeroportin e Rinasit ku ka marrë shtetasin portugez. Nga Rinasi ka shkuar në Shkodër. Në muajin Mars, Edmond Haxhia ka marrë në në Aeroportin e Rinasit edhe shtetasit britanikë Harriet Bridgeman, Thomas Mithan dhe Steven Hunt shtetas.
Ndërsa personi tjetër, i dyshuar si i përfshirë në ngjarje, Harry Simson, ka mbërritur në Rinas më 11 mars dhe është larguar menjëherë pas vrasjes, po nga Rinasi, më 19 prill.
Në kohën që të gjithë këta persona janë bërë bashkë, kanë nisur planin dhe organizimin e ngjarjes. Fillimisht vëzhgimin e perimetrit rreth godinës në Shëngjin, që është hotel, restorant dhe bar, si dhe kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e Ardian Nikulajt.
Këta persona kanë qëndruar dhe janë akomoduar në zona të ndryshme, përfshirë edhe hotelin në pronësi të Nikulajt. Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në autostradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas kqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar e pyetur punonjësin e karburantit, i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.
Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin “Coral”. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100-150 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.
Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Skema e ngjarjes, që nga organizimi dhe deri të vrasja është zbardhur për grupin hetimor nga një grua që është kthyer në bashkëpunëtore.
Ka folur me prokurorin e çështjes dhe shefin e Krimit të Organizuar duke treguar të gjitha lëvizjet e shtetasit portugez. Ajo ka treguar se Ruben Saraiva ka tentuar disa herë që të ekzekutojë Ardian Nikulajn, por nuk ka arritur të kryejë vrasjen. Madje edhe në rastet e mëparshme ka udhëtuar me të njëjtin motor.
Gruaja që është kthyer në bashkëpunëtore, ka deklaruar se vrasësi ishte mësuar të fliste disa fjalë në gjuhën shqipe, në mënyrë që të mos kuptohej që ishte shtetas i huaj. Gjatë veprimeve hetimore janë gjetur prova që kanë shërbyer për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas ngjarjes, shtetasi portugez dhe 2 nga ata britanikë Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt, janë larguar nga Shqipëria nga Kapshtica në drejtim të Greqisë, duke lëvizur në këmbë. Të tre janë regjistruar në sistemin TIMS.
Në lidhje lëvizjet e organizatorit të vrasjes, të dyshuarit Edmond Haxhia, është pyetur nëna e tij, Gjelina Haxhia.
Gjelina Haxhia
“Djali im, Edmondi, prej shumë vitesh jeton në Britaninë e Madhe dhe ka ardhur në Shqipëri në muajin Nëntor 2022, për t’u fejuar. Gjatë qëndrimit në Shqipëri Edmondi ka përdorur automjetin e motrës time dhe nuk ka pasur mjete të tjera. Ne nuk kemi motor dhe djali nuk ka ardhur ndonjë herë me motor në shtëpi. Përveç të fejuarës së tij, djali nuk ka sjellë në shtëpi asnjë person tjetër”.
Drejtësia shqiptare nxitoi të bënte gati dosjen e ekstradimit, menjëherë pasi 4 pjesëmarrës në vrasje u arrestuan në Angli. Në qershor ata dolën para Gjykatës në Londër, por në atë seancë nuk u shqyrtua asnjë provë që Prokuroria shqiptare kishte dërguar atje. Në përfundim Gjykata britanike e refuzoi ekstradimin e tyre, duke bërë vendosur se do t’i jepnin Shqipërisë edhe 5 muaj kohë për t’i bindur me fakte e prova jo vetëm si pjesëmarrës në atë krim por madje edhe për gjykim të drejtë. Nga 5 britanikët e vënë nën akuzë, përfshirë edhe Haxhinë, dy prej tyre janë lënë të lirë, njëri për shkak të një garancie, ndërkohë që personi i akuzuar nga prokuroria e Lezhës për vëzhgues në rolin kryesor, nuk është arrestuar. Për të, gjykata angleze tha se nuk ekzistonte asnjë provë që mund ta vinte nën akuzë. Ndërkohë që Ruben Saraiva, i arrestuar në Marok, sipas të dhënave ka mohuar të jetë autor i atij krimi.
19 Korrik 2023
Ekzekutohet në Lezhë, i afërmi i familjes Lekstakaj
Pasditen 19 korrikut të vitit 2023, në fshatin Balldre të Lezhës është ekzekutuar me armë zjarri 42-vjeçari, Nikolin Lekstakaj, i njohur si Toli. Pas ngjarjes vëllai i tij viktimës, Bledar Lekstakaj tha se ai sapo ishte kthyer nga Tirana dhe ka qenë duke qëndruar në shtëpi me nënën e tij në momentin që Nikolini i ka marrë makinën për të shkuar për të blerë diçka. Ai ka treguar se pak minuta më vonë ka dëgjuar krisma, por nuk ka menduar se mund të ishte vrarë vëllai i tij dhe më vonë pasi është vonuar është njoftuar për ngjarjen. 42-vjeçari ka qenë duke dalë nga marketi në momentin që është qëlluar me breshëri nga një automjet në lëvizje. Në automjet dyshohet se ka qenë shoferi dhe personi që ka qëlluar Nikolinin. Pista e vetme e dyshuar është ajo e hakmarrjes, pasi fisi Leskakaj dhe Nikulaj janë në hasmëri prej gati 3 dekadash. Vetëm 3 muaj më parë ishte vrarë në Shëngjin, Ardian Nikulaj.
Pistën e gjakmarrjes e konfirmoi edhe drejtori i Policisë së Lezhës, Alfred Elezi. Policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona lidhur me vrasjen e Nikolin Lekstakajt në Balldre. Të shoqëruar ishin persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen por jo të dyshuar. Në mesin e të shoqëruarve ishin edhe të afërm të fisit Nikulaj, të cilët pas sqarimeve u lanë të lirë.
Policia sekuestroi kamera të bizneseve që gjenden në rrugën Balldre-Lezhë për të parë lëvizjet e autorëve. Dëshmitarët tregonin se kishin dëgjuar xhirim të fortë gomash të një automjeti, por pa parë autorët.
Një ditë pas ngjarjes është gjetur e djegur në Gjadër një makinë tip “Mercedez”. Automjeti që rezultoi i vjedhur në shtator të vitit 2022 në Dimal të Beratit, ishte pikërisht ai që u përdor për vrasjen e Lekstakajt. Brenda makinës është gjetur edhe një armë kallashnikov.
Njoftimi i Policisë
“Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet policore në të gjithë territorin e rrethit të Lezhës me qëllim gjetjen dhe kapjen e autorëve, në fshatin Gjadër të njësisë administrative Dajç, në një parcelë arë, nga shërbimet e policisë, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip Benz, i cili në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat. Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, janë gjetur një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht. Arma e zjarrit e gjetur dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e shtetasit Nikolin Lekstakaj U bë sekuestrimi i tyre në cilësinë e provës materiale për tu dërguar për ekspertime”.
Ndonëse kur thuhet motivi, supozohet të ketë edhe persona të dyshuar, pasi dihen familjet në hasmëri, ende deri më sot nuk ka asnjë person të ndaluar për ngjarjen. Dhe kthehemi sërish tek përfundimi që, në rast se nuk do të ketë drejtësi, do ketë vetëgjyqësi. Kjo u dëshmua në fillim të dhjetorit.
2 Dhjetor 2023
Ekzekutohet djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt
Mbrëmjen e 2 dhjetorit 2023, Lezha u trondit sërish. Tjetër vrasje, sërish e dyshuar për gjakmarrje. Pas Lekstakajve, radhën e kishin Nikulajt. Dhe është pikërisht djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt ai që u plagos rëndë e më pas ndërroi jetë në spital. Viktima është 40-vjeçari Entian Nikulaj, baba i një fëmije të mitur. Një person i pa skeduar për ndonjë krim dhe që nuk kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë apo edhe me ndonjë person tjetër.
Ngjarja ka ndodhur përballë Ujësjellësit të Lezhës, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, në drejtim të automjetit që drejtohej nga 40-vjeçari Nikulaj. Menjëherë pas ngjarjes Policia e Lezhës shoqëroi 10 persona. Pas marrjes në pyetje ata u lënë sërish të lirë, pa i ardhur në ndihmë hetuesve për zbardhjen e vrasjes dhe identifikimin e autorëve. Policia e Lezhës ka dyshime se një nga pistat kryesore është ajo e gjakmarrjes, por pa përjashtuar edhe pista të tjera.
Grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë që kanë fiksuar automjetin, me të cilin lëvizte viktima teksa është ndjekur në momentin që ai kishte dalë nga një lokal që gjendet ne autostradë dhe në hyrje të Lezhës është qëlluar nga pas nga autoret që mendohet se kanë qenë tre persona. Plumbat e kanë kapur atë në shpinë dhe pjesën anësore duke i shkaktuar edhe vdekjen. Policia po verifikon edhe kamerat e sigurisë së lokalit ku kishte qëndruar Entian Nikulaj për të parë nëse ka pasur persona të tjerë që mund të kenë informuar autorët për lëvizjet e tij
Entian Nikulaj, dyshohet se u ndoq për më shumë se 2 orë nëpër qytetin e Lezhës, nga vrasësit e tij, që lëviznin me një BMW të vjedhur. Automjeti i atentatorëve ka dalë nga zona e Fushë-Krujës dhe është nisur në drejtim të Lezhës, ndërsa ndjekjen e objektivit Entian Nikulaj, nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se e kanë nisur rreth orës 18 e 30 minuta të datës, 2 dhjetor. Grupi hetimor, ka dyshime të forta që autorët janë ndihmuar nga disa persona të tjerë, të cilët kishin rolin e vëzhguesve, pasi nga hapja e kamerave rezulton se BMW, me të cilën lëviznin mbante gjithmonë distancë për të mos u pikasur nga Nikulaj. Rreth orës 9 të mbrëmjes autorët kanë hapur zjarr mbi Entian Nikulaj. Sipas hetimeve rezulton se ndaj tij kanë qëlluar dy persona me kallashnikovë, një i ulur në sendiljen e parë të BMW, ndërsa tjetri i ulur, pas. Pas ngjarjes, autorët u kthyen në drejtim të Fushë – Krujës, ndërsa makinën e dogjën në afërsi të Rinasit.
Motivi i gjakmarrjes në këtë ngjarje, ndryshe nga dy të mëparshmet, nuk u tha zyrtarisht nga Policia. Por duket se të gjitha rrugët i çojnë drejt saj. Deri kur do të zgjasë? Askush nuk jep garanci dhe nuk është në gjendje ta thotë. Vrasja e Ardian Nikulajt u zbardh në kohë rekord, por dy të tjerat që e pasuan vijojnë të jenë ende pa autorë.
Në rastet e vetëgjyqësisë, gjithmonë gishti drejtohet tek organet e drejtësisë. Megjithëse Kodi Penal parashikon dënime të ashpra për nenet 78 paragrafi i dytë dhe nenin 78 pika a, në dokumentet statistikorë konstatohet që jo gjithmonë procedimet për këtë vepër penale referojnë dënime po kaq të ashpra.
Kjo vjen si pasojë e gjykimeve të shkurtuara me ulje dënimi, gjykimeve për autorë të mitur apo rikualifikimet e veprave. Konkretisht në 100 raste kemi dënime me burgim 10 deri 25 vite heqje lirie, më burgim të përjetshëm vetëm 7 raste ndërsa me burgim 25 deri 35 vite janë 4 raste.
Vëllimi i procedimeve penale për Vrasje për Gjakmarrje në kontekstin social referon jo vetëm një mentalitet të vjetër të trashëguar nga kohët kur në mungesë të shtetit dhe institucioneve gjyqësia bëhej nga individi. Ky fenomen tregon edhe besim të dobët tek institucionet e hetimit, gjykimit dhe ndëshkimit të autorit të një krimi të rëndë, nga autoriteti shtetëror dhe sistemi i drejtësisë.
Gjakmarrja është si të vësh gjithë jetën në një tavolinë pokeri. Ose all in, ose do të tërhiqesh. Do zgjedhësh të vrasësh, qoftë edhe për të mos u vrarë vetë i pari; do largohesh për të pritur vdekjen që mund të vijë nga momenti në moment; ose do të kalosh gjithë jetën i ngujuar, duke humbur gjithçka.
Por jeta nuk është kumar. Ndonjëherë është e rëndësishme edhe të falësh. Të falësh, që njerëzit e tu, ata më të pafajshmit, të mos paguajnë për gabimin e askujt, por të jetojnë.
/abcnews.al/