Mesut Ozil nuk bën më pjesë në planet e Unai Emery, por fantazisti nuk ka ndërmend të lëvizë nga Arsenali. Kontrata me “Topçinjtë” i përfundon në vitin 2021 dhe 31-vjeçari dëshiron ta respektojë deri në fund, edhe për faktin që ka një rrogë të majme.
Emri i tij është përfolur për një transferim në Serie A, aty ku e pëlqejnë dy klubet e Milanos. Në prononcimin e dhënë për The Athletic, Ozil flet për situatën që po kalon dhe të ardhmen e tij, duke i dhënë fund shpresave të tifozëve milanistë dhe interistë.
“Kam një kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit 2021 dhe nuk e kam ndërmend të lëviz. Po kaloj një moment të vështirë, por nuk ekziston asnjë motiv për t’u larguar. Nuk do të largohem nga këtu. Kam aftësinë për të bërë atë që më kërkon trajneri dhe dua të ndihmoj klubin në realizimin e objektivave”, përfundon Mesut Ozil. /abcnews.al