Arrihet marrëveshja mes Brukselit dhe Londrës për sa i përket daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Kryeministri britanik Boris Xhonson u shpreh i emocionuar teksa theksoi se ishte arritur një marrëveshje e madhe dhe e re Brexit. Ndërsa Juncker, me anë të një mesazhi në Tëitter shkruan se aty ku ka vullnet ka dhe marrëveshje.
Mbretëria e bashkuar dhe Bashkimi Europian kanë arritur një marrëveshje për Brexit. Lajmi u konfirmua nga kryeministri britanik Boris Johnson dhe presidenti në largim i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.
Kreu negociator i Bashkimit Europian për Brexit, Michel Barnier, dha lajmin gjatë një konference për shtyp para Këshillit Europian, jo pa shtuar se durimi është cilësia e të fortëve. Ai theksoi se marrëveshja nuk garanton se Brexit do të ndodhë në 31 Tetor pasi i takon Johnson që të punojë për të marrë miratimin e Mbretërisë së Bashkuar.
Në fakt marrëveshja tashmë duhet të marrë dritën e gjelbër nga liderët e Bashkimit Europian dhe të kalojë nëpër procesin e ratifikimit në parlamentin britanik në fundjavë ku teksti i mëparshëm i arritur mes Londrës dhe Brukselit është refuzuar tre herë.
Nëse Londra do të japë dritën jeshile, vula përfundimtare do të jetë ajo e ambasadorëve të Bashkimit Europian të dielën dhe nga parlamenti europian gjatë seancës plenare javën e ardhshme në Strasburg.
Burime parlamentare thanë agjencinë e lajmeve EFE se parlamenti europian mund të votojë për këtë marrëveshje të mërkurën e ardhshme pas rishikimit që do të bëhet nga komisioni për çështje kushtetuese.
Gjithsesi Parlamenti Europian nuk do të vazhdojë me votimin nëse Dhoma e Përbashkët nuk do e ratifikojë gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare të 19 tetorit. Një pikë e përbashkët mes palëve është se nuk do të ketë një shtyrje tjetër për sa i përket Brexit.
/ABC News Albania