Fondet e pensionit privat/ Nis zbatimi i ligjit, anëtarët lehtësohen nga taksat

schedule14:35 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 14:35 - 8 Dhjetor, 2023

Qeveria po përpiqet të nxisë gjithmonë e më tepër skemën e pensioneve private në vend. Tashmë ka hyrë në fuqi ligji i ndryshuar për “Për fondet e pensionit privat”.  Ky është një draft që ofron lehtësi fiskale për ti bërë këto skema më tërheqëse për individët. Për ata që investojnë në fondet e pensionit privat ka një sistem fiskal lehtësues. Kontributet që derdh punëmarrësi në formë pensioni i zbriten nga të ardhurat, nga paga e tij për efekt tatimi. Po kështu edhe kontributi që punëdhënësi derdh për punëmarrësin në një fond pensioni privat njihet si shpenzim i zbritshëm për efekt tatimi. Ligji për herë të parë njeh edhe formën e fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur i cili mund të krijohet nga një punëdhënës, në cilësinë e sponsorit. Krahas saj është edhe fondi me pjesëmarrje të hapur, i cili ka qenë edhe në ligjin e mëparshëm, që krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim.

Po ashtu në draft parashikohet një sërë kriteresh që rrisin transparencën ndaj anëtarëve të fondeve të pensionit privat, si dhe ulet komisioni  vjetor i administrimit të aktiveve të fondit, i cili nuk duhet të kalojë në asnjë rast 2.5% në vit, të vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit privat.

Skema e pensioneve private ka njohur një zgjerim të shpejtë gjatë këtij viti. Statistikat e Autoritetit të Mbikqyrjes financiare tregojnë se gjatë periudhës janar-shtator  janë regjistruar 38 mijë anëtarë.Numri i anëtarëve është zgjeruar me mbi  4% ose 1483 anëtarë që nga fillimi i vitit. Në vlerë skema e pensioneve private ka kapur një vlerë prej 6.48 miliardë lekësh ose 60.80 milione euro. Nëse e krahasojmë me një vit më parë vërehet një rritje me rreth 26% e vlerës së aseteve të pensioneve private./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!