Milani është në hall dhe duhet të vendosë se çfarë do të bëjë. Bilancet duhen rregulluar dhe mënyra më e shkurtër është që të shesë lojtarë. Janari është pranë dhe Gazzetta dello Sport raporton se në kampin kuqezi po mendohet diçka e tillë dhe sapo mendohet për lëvizjet në dalje, mendja të shkon te Giggi Donnarumma dhe Suso.
Ata janë dy nga lojtarët që mund të sjellin të ardhura të rëndësishme. Gjithsesi për momentin nuk është se ka oferta konkrete. Për të ndihmuar Milanin mund të dalë sërish në skenë Leonardo, drejtori sportiv i francezëve të PSG. Lucas Paqueta është dëshira e brazilianit.
Ishte ai që e transferoi te Milani dhe tashmë mund të jetë gati të bëjë një ofertë në lartësinë e duhur për shërbimet e fantazistit. Lojtarë të tjerë për të cilët ka interes janë kapiteni Romagnoli dhe Kessie. Në treg me një çmim të mirë mund të futet edhe Piatek, por polaku fillimisht duhet të rikthehet ai i vjetshmi dhe të shënojë. Ndryshe për të ofertat do të jenë të ulëta. /abcnews.al